Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Trumpi i bëri deklaratat të martën, gjatë takimit dypalësh me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
I ulur pranë Zelenskyt në selinë e OKB-së, Trump u tha gazetarëve se beson se si Rusia, ashtu edhe Ukraina, dëshirojnë që lufta të përfundojë.
“Unë mendoj se do të arrijmë një marrëveshje. Dhe nuk dua të them se cila do të jetë marrëveshja. Kemi folur shumë për të, përfshirë edhe me presidentin Putin, dhe mendoj se diçka do të ndodhë”, ka deklaruar ai.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se do të ishte i gatshëm të takohej sërish me presidentin rus, Vladimir Putin, megjithëse nuk dha detaje se ku apo kur mund të zhvillohej një takim i tillë.
Në takimin me Zelenskyn është diskutuar edhe për mbështetjen ushtarake për Ukrainën, përfshirë prodhimin e interceptorëve të raketave Patriot. Çështja e sigurimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot për Ukrainën ka qenë në fokus të bisedimeve të fundit mes dy presidentëve.
Trump u tha gazetarëve gjithashtu se do të dëshironte të ndalonte eksportet e naftës nga Shtetet e Bashkuara.
“E kam kërkuar këtë”, ka thënë presidenti, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari. “Ua kam kërkuar njerëzve të mi. Kam folur për këtë”, ka shtuar ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


