Tridhjetë e katër persona janë arrestuar në një operacion të gjerë antimafia në Caivano, në periferi të Napolit, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar 3.2 milionë euro para të gatshme, të fshehura në muret, dyshemetë dhe mobiliet e një apartamenti.
Të arrestuarit dyshohen për përfshirje në një organizatë kriminale të tipit mafioz, trafik droge, zhvatje dhe posedim të lëndëve narkotike me qëllim shitjen e tyre.
Sipas Karabinierëve në Napoli, gjatë kontrollit të apartamentit në Caivano janë gjetur tufa me kartëmonedha prej 50 eurosh, të mbështjella me kujdes në celofan dhe të fshehura nën pllakat e dyshemesë, brenda mureve, si dhe në sirtarë të fshehtë të dollapëve.
Për shkak të sasisë së madhe të parave, ato janë nxjerrë nga objekti me kova plastike dhe më pas janë transportuar me një automjet të blinduar.
Përveç 3.2 milionë eurove në para të gatshme, autoritetet kanë sekuestruar edhe 11 orë luksoze Rolex, armë zjarri dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për shitjen e drogës.
Hetuesit kanë zbuluar edhe mënyrën e organizimit të grupit kriminal, i cili dyshohet se kishte krijuar një strukturë të ngjashme me një biznes.
Anëtarët ishin të ndarë në turne, me qëllim që aktivitetet kriminale, përfshirë trafikimin e drogës dhe zhvatjet, të zhvilloheshin në mënyrë të vazhdueshme.
Operacioni ishte rezultat i një hetimi sekret disa muajsh, të drejtuar nga prokurori antimafia i Napolit, Nicola Gratteri.
Një rol të rëndësishëm në hetim kanë pasur informacionet e dhëna nga informatorët, si dhe përgjimet e bisedave telefonike të anëtarëve të dyshuar të grupit që ndodheshin në burg.
Sipas hetuesve, të afërmit e tyre u dërgonin në mënyrë të fshehtë telefona celularë, duke u mundësuar komunikimin me persona të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale.
Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se paratë e sekuestruara do të transferohen në Fondin Shtetëror për Drejtësinë, i cili përdoret për financimin e ndihmës për viktimat e krimit të organizuar.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohet se janë pjesëtarë të klanit të njohur Angelino, i cili dyshohet se kishte depërtuar në një masë të konsiderueshme në pushtetin lokal në Caivano.
Për këtë arsye, administrata komunale e qytetit ishte vendosur vitin e kaluar nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë gjyqësore.
Sekuestrimi i shumës së madhe të parave dhe arrestimet kanë shkaktuar edhe reagime politike në Itali.
Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni kishte nisur në vitin 2023 “Modelin Caivano”, një projekt që synon rigjenerimin urban dhe parandalimin e krimit, me fokus në revitalizimin e zonave të neglizhuara.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


