Një armë zjarri me municion është sekuestruar mbrëmjen e së enjtes në Prishtinë, pas një kontrolli të realizuar nga Policia në një automjet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën “Xheladin Hana”, ku zyrtarët policorë kanë ndaluar një veturë të tipit Golf 7 për kontroll rutinë.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se gjatë kontrollit të automjetit, në sirtarin përballë ulëses së pasagjerit është gjetur një armë zjarri e llojit “Tisas PX-9 Carry”, një karikator dhe 10 fishekë të kalibrit 9 milimetra.
Pas verifikimeve, si pronar i armës është identifikuar Shemsi Pireva, i cili ka deklaruar se arma ishte e tij dhe ka prezantuar lejen përkatëse. Sipas deklarimit të tij, arma përdorej për gjuajtje në poligon.
Megjithatë, sipas Policisë, arma nuk ishte transportuar në përputhje me rregullat ligjore për mbajtjen dhe bartjen e armëve, çka ka bërë që rasti të trajtohet penalisht.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, arma është konfiskuar, ndërsa ndaj Shemsi Pirevës është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


