Drejtuesit e automjeteve në Shtetet e Bashkuara po përballen me çmimin më të lartë të naftës të regjistruar ndonjëherë, ndërsa lufta e SHBA-së dhe Izraelit me Iranin vazhdon të ndikojë në kostot e karburanteve.
Sipas Shoqatës Amerikane të Automobilistëve, çmimi mesatar i një galloni naftë ka arritur në 5.85 dollarë, nga 3.71 dollarë sa ishte një vit më parë. Çmimi aktual ka tejkaluar edhe rekordin e vendosur pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës.
Në SHBA, nafta përdoret kryesisht nga automjetet komerciale, përfshirë kamionët, trenat, anijet, autobusët, makineritë bujqësore dhe mjetet e ndërtimit. Për këtë arsye, rritja e çmimit mund të ndikojë edhe në kostot e transportit dhe të mallrave.
Karburantet janë shtrenjtuar ndjeshëm që nga nisja e konfliktit me Iranin në fund të shkurtit, si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka premtuar se do t’i ulë ndjeshëm çmimet e karburanteve përmes një marrëveshjeje energjetike me Venezuelën.
Marrëveshja parashikon zhvillimin e 17 fushave strategjike të naftës, të cilat kanë rezerva të provuara prej 65 miliardë fuçish. Sipas presidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, projekti pritet të sjellë mbi 100 miliardë dollarë investime dhe më shumë se 209 miliardë dollarë të ardhura nga taksat për vendin.
Një zyrtar amerikan ka deklaruar se Qeveria e SHBA-së do të mbajë 55 për qind të kontrollit në një sipërmarrje të përbashkët me një operator privat me përvojë në Venezuelë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


