Negociatorët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do ta vizitojnë Ukrainën të dielën, pas takimeve të tyre të planifikuara në Moskë, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Zelensky deklaroi se Ukraina do të garantojë sigurinë e hapësirës ajrore gjatë qëndrimit të negociatorëve amerikanë në kryeqytetin rus. Ai i bëri thirrje Moskës që, gjatë kësaj kohe, t’i ndalojë sulmet ajrore ndaj Ukrainës.
“Ne do të sigurojmë funksionimin e qetë të hapësirës ajrore ruse, në mënyrë që negociatorët të mund të mbërrijnë të sigurt. Nuk do të ketë sulme ajrore nga ana jonë dhe Rusia duhet të veprojë në të njëjtën mënyrë”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Presidenti ukrainas tha se synimi është zhvillimi i negociatave sa më konstruktive me përfaqësuesit amerikanë dhe gjetja e zgjidhjeve reale për përfundimin e luftës.
“Duhet të kërkojmë zgjidhje realiste për t’i dhënë fund kësaj lufte. Do të shohim se çfarë propozimesh do të kenë Steve dhe Jared dhe çfarë përgjigjeje do të marrin në Moskë”, shtoi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


