Friday, September 4, 2026
spot_img
HomeLajmeKosova dhe Shqipëria pritet të dërgojnë trupa në Forcën Ndërkombëtare për Gazën

Kosova dhe Shqipëria pritet të dërgojnë trupa në Forcën Ndërkombëtare për Gazën

Bisedimet për dislokimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Rripin e Gazës po avancojnë, ndërsa Kosova dhe Shqipëria përmenden në mesin e vendeve që pritet të dërgojnë disa qindra trupa.

Sipas një burimi të përfshirë në negociata, të cilin e citon “The Times of Israel”, po diskutohet dislokimi i rreth 1 mijë e 200 trupave nga Uganda dhe 500 të tjerëve nga Burundi. Kontingjentit pritet t’i bashkohen edhe trupa nga Kosova, Shqipëria, Maroku dhe Kazakistani.

Në bisedime është rikthyer edhe Indonezia, e cila në maj i kishte pezulluar diskutimet për t’iu bashkuar kësaj force.

Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit parashikohet ta marrë gradualisht rolin e ushtrisë izraelite në Gaza dhe të ndihmojë në procesin e çarmatimit.

Megjithatë, ende nuk është caktuar një datë për dislokimin e forcës dhe nevojiten miratime të tjera nga Izraeli.

Në fund të korrikut, Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte njoftuar se kabineti i sigurisë miratoi hyrjen e kufizuar të trupave nga disa “vende mike”. Një muaj më vonë, e njëjta zyrë deklaroi se Izraeli nuk e kishte miratuar hyrjen e forcës në Gaza.

Ndërkohë, procesi për çarmatimin e Hamasit vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve. Sipas një diplomati nga një vend ndërmjetësues, përpjekjet e reja për avancimin e planit mund të shtyhen deri pas zgjedhjeve për Knessetin më 27 tetor.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT