Thursday, September 3, 2026
spot_img
HomeLajmePolicia merr informacion për armë ilegale në Ferizaj – 42-vjeçari e pranon,...

Policia merr informacion për armë ilegale në Ferizaj – 42-vjeçari e pranon, i sekuestrohen arma dhe municioni

Një informacion i siguruar gjatë hetimit të një rasti tjetër ka çuar Policinë e Kosovës deri te një 42-vjeçar në fshatin Talinoc i Jerlive të Ferizajt, nën dyshimet për posedim të paautorizuar të armës, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Mensur Muharremin, për të cilin hetuesit policorë kishin siguruar informacione se posedonte armë zjarri në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas informacioneve të Sinjalit, rasti është zbuluar derisa Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Ferizaj po merrej me një rast tjetër, të iniciuar disa ditë më parë.

Pas informacioneve të siguruara, hetuesit kanë kontaktuar Muharremin dhe, pasi është njoftuar lidhur me çështjen, ai ka pohuar se mbante një armë në shtëpi dhe është shprehur i gatshëm ta dorëzonte në Polici.

Hetuesit dhe njësia e Forenzikës më pas kanë kryer kontroll në shtëpinë e tij në Talinoc të Jerlive.

Gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë Zoraki me gaz, e kalibrit 9 mm, me karikator, bashkë me 13 fishekë të armës me gaz. Policia ka sekuestruar gjithashtu dy fishekë të armës së shkurtër dhe një fishek të armës së gjatë.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Muharremi është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe, pas përfundimit të procedurave, është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti vazhdon të jetë nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT