Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli i kanë fituar betejat e sotme ndaj Tiranës, respektivisht Vllaznisë, për t’ua mohuar këtyre të fundit plasmanin në gjysmëfinale të Ligës Unike në basketboll.
Kryeqytetasit dhe suharekasit u bashkuan me Vllaznimin e Gjakovës dhe Besëlidhjen e Lezhës në katërshën gjysmëfinaliste të këtij kompeticioni mbarëkombëtar.
Këta dy të fundit veç e kishin siguruar “Final 4” që në xhiron e kaluar, andaj sonte beteja ishte se kush do të përfundojë i pari në Grupin A, njofton Klankosova.tv.
Gjakovarët fituan 85-75 ndaj skuadrës të vetme nga Shqipëria e cila ka mbetur në garë për këtë trofe, kurse Bashkimi edhe pse e mundi Teutën 96-88, nuk i ka kryer asgjë punë, pasi që të dyja këto skuadra janë eliminuar.
Në Grupin B ndërkaq, “Xhebrailat” i mposhtën 81-70 shkodranët, në duelin direkt për të zënë vend në mesin e katër më të mirëve.
Njejtë bënë edhe “Plisat” që triumfuan 77-63 ndaj kryeqytetasëve të Shqipërisë, duke i dhënë vulë dilemës për vazhdimin e garës, raporton Klankosova.tv.
Ballafaqimi direkt i së dielës së 16 Marist, Prishtina – Ylli, determinon edhe ekipin që do të kualifikohet nga vendi i parë.
Kjo ndeshje, pos këtij kompeticioni, është e vlefshme edhe për Superligën e Kosovës.
Kampione aktuale i Ligës Unike, është Trepça e cila e mundi në finale fituesin e edicionit të parë të kësaj gare, Golden Eagle Yllin 67-66.
The post Përcaktohen gjysmëfinalistët e Ligës Unike, tri ekipe të Kosovës dhe vetëm një nga Shqipëria appeared first on Klan Kosova.


