Pas arritjes së marrëveshjeve me Google, SpaceX dhe OpenAI, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka bërë të ditur se ka nënshkruar marrëveshje edhe me Nvidia, Microsoft, Amazon Web Services dhe Reflection AI, të cilat i lejojnë asaj të vendosë teknologjinë dhe modelet e tyre të inteligjencës artificiale në rrjetet e saj të klasifikuara për “përdorim të ligjshëm operacional”.
Në deklaratën zyrtare të Pentagonit thuhet se këto marrëveshje synojnë përshpejtimin e transformimit të ushtrisë amerikane drejt një force luftarake të bazuar në inteligjencën artificiale, duke forcuar njëkohësisht aftësitë vendimmarrëse të trupave në terren.
“Këto marrëveshje përshpejtojnë transformimin drejt krijimit të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara si një forcë luftarake e bazuar në Al dhe do të forcojnë aftësinë e luftëtarëve tanë për të ruajtur epërsinë në vendimmarrje në të gjitha fushat e luftës”, thuhet në deklaratë.
Departamenti i Mbrojtjes sqaroi gjithashtu se pajisjet dhe modelet e inteligjencës artificiale të këtyre kompanive do të vendosen në mjedise të Nivelit të Ndikimit 6 (IL6) dhe Nivelit të Ndikimit 7 (IL7), që përfaqësojnë nivele të larta sigurie për të dhëna dhe sisteme kritike për sigurinë kombëtare.
Sipas njoftimit, këto sisteme do të shërbejnë për të përmirësuar sintezën e të dhënave, për të rritur kuptimin e situatës dhe për të mbështetur proceset e vendimmarrjes së luftëtarëve.
IL6 dhe IL7 përshkruhen si klasifikime të larta sigurie për sistemet e informacionit që konsiderohen kritike për sigurinë kombëtare, të cilat kërkojnë mbrojtje fizike, kontrolle të rrepta të aksesit dhe auditime të vazhdueshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


