Thursday, September 3, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Sot nis rigjykimi për “53-milionëshin” – Pal Lekaj para Gjykatës

LEX | Sot nis rigjykimi për “53-milionëshin” – Pal Lekaj para Gjykatës

Ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca në rigjykimin e rastit të njohur si “53-milionëshi”, ku ndër të akuzuarit është ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Bashkë me Lekajn, në këtë rast akuzohen edhe ish-këshilltari i tij politik Eset Berisha, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës Nebih Shatri dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik në këtë ministri, Besim Tahiri.

Katër të akuzuarit ngarkohen nga Prokuroria Speciale lidhur me ekzekutimin e pagesës shtesë prej 53 milionë eurosh për kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ishte kontraktuar për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare lidhur me marrëveshjen për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradë.

Në shkallën e parë, më 31 janar 2024, Pal Lekaj ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim, si dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim të ushtrimit të funksionit në administratën publike.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim, duke dhënë rekomandime për Gjykatën Themelore.

Në kuadër të rigjykimit, Gjykata ka urdhëruar edhe përpilimin e një ekspertize financiare lidhur me pagesën shtesë prej 53 milionë eurosh.

Sipas Prokurorisë, nga aprovimi i pagesës prej 53 milionë eurosh, buxhetit të Kosovës pretendohet se i është shkaktuar dëm prej rreth 38 milionë eurosh.

Rasti po trajtohet nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, ndërsa anëtarë janë gjyqtarët Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli.

Sinjali do t’ju mbajë të informuar me zhvillimet nga seanca.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT