Thursday, September 3, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Elshanët dhe të tjerët sillen në gjykatore – Sinjali siguron...

LEX | Elshanët dhe të tjerët sillen në gjykatore – Sinjali siguron dosjen e planit për vrasje

Të akuzuarit në rastin e njohur si grupi i Demë Elshanit janë sjellë sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka nisur shqyrtimi gjyqësor ndaj tyre, raporton Sinjali.

Në sallën e gjykimit janë paraqitur Leon Dizdari nga Peja, Mentor Dreshaj, Qëndrim Elshani dhe Ardian Gashi.

Çështja penale po trajtohet nga gjyqtari Lufti Shala.

Sinjali ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale, të ngritur më 17 korrik 2026, në të cilën përshkruhet plani i dyshuar për vrasjen e Shkodran Hysenit.

Sipas aktakuzës, Ardian Gashi dyshohet se ishte angazhuar për kryerjen e vrasjes, kundrejt pagesës prej 30 mijë eurosh, ndërsa në rast se Hyseni do të plagosej, pagesa pretendohet se do të ishte 7 mijë euro.

Prokuroria pretendon se më 29 janar 2025, rreth orës 20:00, në afërsi të hekurudhës në fshatin Nabërgjan të Pejës, të akuzuarit Leon Dizdari dhe Mentor Dreshaj ia kishin dorëzuar Ardian Gashit një armë automatike të tipit kallashnikov, AK-47, për realizimin e planit.

Megjithatë, sipas dosjes së Prokurorisë, vrasja e planifikuar nuk ishte realizuar për shkak të ndërhyrjes dhe arrestimit të të pandehurve nga Policia e Kosovës.

Në aktakuzë, Adem Helshani, i njohur si Demë Elshani, ngarkohet me veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, sipas nenit 277, paragrafi 2, të Kodit Penal.

Ndërkaq, Qëndrim Elshani, Leon Dizdari, Ardian Gashi, Faruk Osaj dhe Mentor Dreshaj akuzohen për “Pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me veprat penale:

  • Veprimet përgatitore për kryerjen e vrasjes së rëndë;
  • Detyrimi;
  • Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm;
  • Zjarrvënia;
  • Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse fajësia e tyre vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT