Një operacion i madh i karabinierëve italianë në Napoli ka përfunduar me arrestimin e 14 personave të dyshuar për lidhje me klanin mafioz “Di Lauro” dhe rrjete shqiptare të trafikut të drogës.
Hetimet u koordinuan nga Drejtoria Antimafia e Napolit, e cila zbuloi një rrjet të organizuar ndërkombëtar për shpërndarjen e kokainës dhe hashashit.
Sipas mediave italiane, në krye të grupit dyshohet se ishte 55-vjeçari Raffaele Paolo, i njohur me nofkën “O’ rockets”. Ai dyshohet se kishte rifilluar aktivitetin kriminal pas lirimit nga burgu në vitin 2019, duke organizuar shpërndarjen e drogës në rrugë dhe përmes dërgesave në banesa.
Hetuesit italianë bëjnë të ditur se aktiviteti kriminal shtrihej në disa zona të Napolit dhe përfshinte trafikimin e sasive të mëdha të kokainës. Gjatë operacionit, autoritetet arrestuan edhe gjashtë persona të tjerë dhe sekuestruan disa kilogramë kokainë dhe hashash.
Të arrestuarit përballen me akuza për “organizim kriminal për trafik droge” dhe “posedim droge me qëllim shpërndarjen”, ndërsa hetimet mbulojnë periudhën 2020–2023.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


