Thursday, May 7, 2026
spot_img
HomeShowbizNjeriu si Gjithçkaja – një histori që nga fillesa

Njeriu si Gjithçkaja – një histori që nga fillesa

Tradita tregon që historinë e nisim me ne, njerëzit. Atë që ishte para nesh e mësojmë të shkapërderdhur në lëndët e fushat tjera, fizikë, kimi e biologji. Ose rëndësinë e historisë shumë prej nesh e lidhim për kombin të cilit i përkasim, dhe gjithçka tjetër brenda historisë sikur periferizohet.

Por, mysafiri i veçantë i KultOrës, David Christian, e ka popullarizuar idenë e Historisë së madhe, njëfarë rropatje me qëllime didaktike dhe etike të historisë që e promovon hartëzimin historisë që nga fillesa e universit me synimin për “të mësuar një histori të unifikuar të njerëzimit”.

Christiani, që ka shkruar librat Tregimi i prejardhjes: Një histori e gjithçkaje dhe Hartat e kohës: Një hyrje në Historinë e madhe, thotë se nëse do të japësh mësim për historinë e njerëzimit duhet të japësh mësim për historinë e gjithësisë, sepse, sipas tij, për të kuptuarit e evoluimit të jetës, dhe me të, edhe të njeriut në Tokë, nevojiten të dihen gjërat që u kanë prirë.

Te kjo ide ai gjen një rrugëdalje nga fragmentimi, dhe del në tregimin global të prejardhjes, apo origjinës, që ofron “kuptim dhe mister”.

Christiani na nis në këtë rrugëtim kronologjik nga pragu i parë, Big Bangu, te krijimi i yjeve, i elementeve të reja, i diellit dhe sistemit diellor, dhe na shpie te jeta e parë në Tokë, te organizmat e parë, asteroidi që fshiu dinozaurët, ndarja e njerëzve nga linja me majmunët, Homo Erectusi, fundi i epokës së akullnajave. Më pas, ai na dërgon te lindja e bujqësisë, eventualisht te ajo e qyteteve, perandorive, te lidhja e zonave botërore. Në stacionet e fundit ai na sjell te revolucioni i fosileve, akselerimi i madh, “rendi i qëndrueshëm botëror?”. Në fund, ai ia rezervon një vend të ardhmes së supozuar – te vdekja e diellit dhe triumfi përfundimtar i entropisë.

Kjo kornizë dijesh e akumuluar nga shkencëtarë e studiues nga të gjitha fushat mund të lidhet, sipas Christianit , në një rrëfim të vetëm që na lejon ta shohim botën nga maja e bjeshkës.

 

Si erdhi emri Historia e madhe (HM)? Pse ia latë këtë emër?

Ah Perëndi, më 1989 fillova të jap një lëndë universitare. Unë jam historian, historian i Rusisë. Por, e kisha idenë që doja të jepja një lëndë për tërë njerëzimin, për historinë e njerëzimit, jo për një komb të caktuar. Në një botë të globalizuar, mendoj që kjo është thelbësore. Prandaj, binda kolegët e mi të më linin që të filloj dhënien e kësaj lënde. Kështu, dy vjet më vonë, më kërkuan që të shkruaj një artikull rreth saj nga revista që ishte themeluar rishtazi e quajtur Revista e Historisë Botërore. Prandaj, m’u desh që të mendoja për një emër që t’ia vë kësaj lënde, e të mos thosha që lënda fillon me Big Bangun e mbaron me të ardhmen. Prandaj, erdha me emërtimin Historia e Madhe. Qe disejnuar të ishte emërtim i thjeshtë. Më dukej i lezetshëm, dhe disi i kapshëm. Nganjëherë pendohem për emërtimin sepse tingëllon disi grandioz, dhe disa njerëzve nuk u pëlqen. Nganjëherë hamendësoj, por tani kam mbetur me këtë emërtim. Kështu erdhi emri. Mund t’ju tregoj shkurtimisht se çfarë mendoj se është Historia e Madhe.

E keni menduar ndonjë emër tjetër pra përgjatë këtyre dekadave?

Ah Perëndi, shikoni, nuk e di. E vërteta është që nuk mund të mendoj për një emër më të mirë. Mendoj që në disa anë është mjaft i përshtatshëm sepse nëse historia është e rëndësishme për shkak që të diturit për të kaluarën na jep perspektivë në të tashmen, dhe na ndihmon që ta kuptojmë të tashmen dhe të përgatitemi për të ardhmen, e që mendoj që kjo qëndron, atëherë, duhet të jetë e vërtetë që një panoramë e madhe e së kaluarës mund të na përgatisë për një panoramë të madhe të së tashmes dhe të së ardhmes. Prandaj, në këtë kuptim, ky është përshkrimi më i madh i së kaluarës të cilin mund ta synoni.

Tani, nëse marrim mësim nga e kaluara, për shkak që mësojmë për modelet e së kaluarës që mund të përsëriten në të ardhmen ose që mund të mos përsëriten në të ardhmen, atëherë në një moment gjatë të menduarit tuaj, mendoj, është e rëndësishme që të mendoni për krejt të kaluarën për shkak se janë disa modele të cilat ju mund të mos i shihni nëse ju e mësoni, ta zëmë, vetëm historinë e kombit tuaj. Ka modele që janë karakteristikë e historisë së jetës në Tokë për shembull, ose ka modele që janë karakteristike e të cilat mund të shihen vetëm në shkallën e universit. Prandaj mendoj që gjatë një pike në të menduarit e tyre, të gjithë duhet të provojnë të shohin nëse mund ta kuptojnë tërësinë e së kaluarës. Prandaj për mua Historia e madhe është e rëndësishme.

Sa sfiduese është të krijohet një kronologji e ekzistencës së Gjithçkasë? Ku e dini se çfarë të përfshini e çfarë të lini jashtë?

Shikoni, nuk është më sfiduese se sa cilado histori tjetër. Ju jetoni në Kosovë, apo jo? Oh, ju keni kaluar nëpër ndryshime dramatike që çuan në krijimin e një kombi të ri. Dhe ju me siguri keni kaluar nëpër këtë gjë edhe vetë. Kam parë një gjë të tillë të ndodhë kur u prish Bashkimi Sovjetik. Ukraina, Turkmenistani, të gjithë u desh të krijojnë histori të reja. Prandaj, ata u desh të mendojnë me shumë kujdes se cilat ishin momentet më të rëndësishme të së kaluarës për këtë entitet të caktuar. Epo, në rastin tim, entiteti i caktuar është krejt universi. Andaj, po e shtroj pyetjen: Nëse jeni qenie njerëzore, dhe po e shikoni tërësinë e universit, cilat janë ndryshimet e rëndësishme në historinë e universit që çuan, eventualisht, në krijimin e kësaj bote të çuditshme në të cilën jetojmë sot? Është pyetja e njëjtë. Nuk është kurrë lehtë për t’u përgjigjur, por problemi i parë që t’i përgjigjemi nuk është as filozofik, as shkencor. Problemi është që njerëzit nuk e shtrojnë pyetjen.

Sa ka ngarkesë etike promovimi i Historisë së madhe?

Pyetje e mirë. Sigurisht që mendoj që ka pyetje etike. Ka shumë sosh. Më lini të zgjedh njërën prej tyre. Në një botë të globalizuar – dhe ne jetojmë në këtë botë, vetë fakti që ne po e realizojmë këtë bisedë është njëra prej dëshmive më të mira se çfarë nënkuptoj me botë të globalizuar – besoj që mësimdhënia e historisë si histori e kombeve të caktuara, ose komuniteteve, ose njerëzve, ose feve, ose civilizimeve po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Shihni, është e rëndësishme që ta bëjmë atë gjë, por që ta mësojmë historinë ekskluzivisht si histori të kombeve të caktuara është gjë e rrezikshme në një botë ku tani kemi armë që mund ta shkatërrojnë shumicën e biosferës brenda pak ditësh. Në të kaluarën, historitë kombëtare kishin më shumë kuptim. Kombi ishte komuniteti më i rëndësishëm, por ajo ku jetojmë tani është një botë ku komuniteti më i rëndësishëm për qeniet njerëzore, besoj unë, është i gjithë njerëzimi, sepse tani përballemi me probleme, përfshirë kërcënimin nga lufta bërthamore dhe kërcënimin nga ndryshimet klimatike që mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit midis shumicës së njerëzve në Tokë. Tani, nëse kjo është e vërtetë, atëherë, si historianë, ne duhet të shtrojmë pyetje – si ta them – për kombin e njerëzimit, nëse kjo ka kuptim? Pra, llojin e këtillë të pyetjeve. Nëse doni ta kuptoni se çfarë do të thotë të jesh kosovar, ju duhet të shtroni pyetje të caktuara. Nëse dëshironi ta kuptoni se çfarë do të thotë të jesh qenie njerëzore, atëherë cilat janë pyetjet thelbësore që duhen shtruar? Mendoj që e di se cilat janë ato pyetje. Ju duhet të dini për evoluimin e specieve. Ju duhet t’i shtroni pyetjet filozofike – çfarë është ajo që e bën specien tonë të dallueshme? Dhe, ne i kemi në dispozicion disa përgjigje shumë të mira. Përgjigja kryesore është që ne jemi specia më e fuqishme që ka ekzistuar në katër miliardë vjet të jetës në Tokë, dhe kurrë më parë ndonjë specie nuk e ka pasur fuqinë të cilën e kemi ne tani. Bakteret e kishin dikur atë lloj fuqie, por ato nuk ishin një specie e vetme. Ato ishin një rang i tërë organizmash. Prandaj, diçka unike po ndodh sot në botë, dhe ju mund ta shihni qartazi nëse e keni një pamje shumë të madhe të së kaluarës, me fjalë të tjera, një pamje të Historisë së madhe të së kaluarës.

Çfarë do të thotë fjala “eksplodim” për ju kur dihet që përdoret si fillim i universit që e njohim, por tani tingëllon më shumë si kërcënim i jetëve?

Është një metaforë, dhe sikurse të gjitha metaforat tjera, duhet përdorur në mënyrë inteligjente. Ideja e Big Bangut – ju mund ta dini që Big Bangu qe përdorur nga një astronom anglez i cili ishte shumë skeptik. Ai mendonte që kjo ishte një ide e marrë, prandaj e quajti Big Bang. Mirëpo, tani është bërë një pikëpamje dominuese në kozmologji. Prandaj, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për implikimet metaforike. Big Bangu nuk është fare ajo që ne e mendojmë si eksplodim. Është diçka shumë misterioze – diçka të cilën ne nuk e kuptojmë plotësisht. Është shfaqja e gjithë universit, e gjithë energjisë. Gjithçka në universin tonë u shfaq në formën e diçkaje më të vogël se një atom. Mirëpo, ne realisht nuk e kuptojmë se çfarë do të thotë – dhe që nga ajo kohë, ajo gjë ka vijuar të zgjerohet. Prandaj, fjala “eksplodim” duhet trajtuar me kujdes. Po ashtu, ne kemi ide shumë të mira se si universi do të marrë fund. Me shumë gjasë jo me eksplodim. Për të përdorur një metaforë tjetër – universi do të vijë duke u bërë më i lodhur, e më i lodhur, e më i lodhur, sepse sasia e njëjtë e energjisë do të përhapet gjithnjë e më shumë nëpër hapësirë derisa eventualisht energjia do të përhapet në aq shumë hapësirë saqë nuk do të jetë në gjendje të krijojë asgjë. E kjo është ajo që e quajmë vdekje e nxehtësisë e universit.

Është Historia e madhe një mënyrë e përgjegjshme e të mësuarit të historisë? Një e tillë që nxit konsiderim, respekt dhe unitet mes njerëzve në botë?

Po, ideja e historisë së njerëzimit është shumë e kontestuar. Besoj, dhe pak njerëz besojnë që ajo për të cilën kemi nevojë që është vitale për të ardhmen e fëmijëve tanë, dhe të nipërve e mbesave tanë dhe të tyre, është një bashkëpunim më i madh midis pjesëve të ndryshme të botës. Mirëpo, sigurisht, ideja e zgjerimit të kontaktit gjithmonë është sikur ligji i lëvizjes i Njutonit. Përherë krijon rezistencë. Për momentin po e shohim këtë rezistencë në një shkallë të lartë me administratën e re amerikane e cila papritmas nuk po përqendrohet në botën por në Amerikën – pra në një komb. Kësisoj, kjo lloj rezistence është gjithnjë e pritshme. Ekziston edhe një tjetër lloj rezistence në Historinë e Madhe, e që është ideja mbi atë se çfarë do të thotë “njohuri e mirë”. Kjo ide është ideja që dikush me ekspertizë të njëmendtë di shumë për një fushë të caktuar. Prandaj, nëse dëshironi që të thoni diçka inteligjente për tërë universin, me vetë përkufizimin, ju nuk do të konsideroheni ekspert.

Kjo mendoj që është gabim sepse mësuesit nuk kanë nevojë të pohojnë që kanë njohuri absolute mbi atë për të cilën po japin mësim. Nëse ju insistoni që ata të kenë njohuri totale të asaj të cilën e japin si mësim, atëherë ju do ta bëni të pamundur mësimdhënien. Prandaj, besoj që është shumë e rëndësishme për të rinjtë që t’ia hedhin një sy kësaj pasqyre të përgjithshme, edhe nëse unë nuk jam fizikan kuantik, e që nuk jam. Nuk ma do matematika. Jam matematikisht i sfiduar. Prandaj, mësimdhënësit – pasi e mendoj veten si mësues i cili ka tentuar që të mbledhë mjaftueshëm njohuri sa për t’ua përcjellë të tjerëve ca sens të kësaj pasqyre të madhe… Mirëpo, shumë njerëz i rezistojnë idesë së historisë së madhe sepse thonë që ajo është prirë që të jetë sipërfaqësore ose e përgjithshme – e që nuk mund të bëhet. Por, mendoj që kjo është krejtësisht gabim. [Albert] Ajnshtajni e ka dëshmuar që është e mundur që të mendojmë për të gjithë universin në mënyra inteligjente, nëse mendoni kujdesshëm.

Sa ka luajtur rol situata politike globale – ndasitë, tensionet & konfliktet – që t’i rrekeni Historisë së madhe?

Le ta kthejmë përmbys. Për momentin, mendoj që të mësuarit e historive kombëtare mund të jetë e papërgjegjshme sepse nuk ua mëson respektin për njerëzit nga fetë e tjera, ose nga prapavijat tjera, teksa në anën tjetër, Historia e madhe kërkon që ta trajtoni botën me respekt, t’i trajtoni të gjithë njerëzit me respekt, ta trajtoni krejt jetën me respekt. Në këtë kuptim të çuditshëm, kërkon që ta trajtoni universin si tërësi me respekt sepse ai univers na ka krijuar. Prandaj, më duket absurde ideja që Historia e madhe është e papërgjegjshme. Ka shumë e shumë forma të së mësuarit të papërgjegjshëm. Nëse ua mësoni një gjë keq, atëherë kjo është e papërgjegjshme. Mirëpo, nëse ua mësoni mirë Historinë e madhe, atëherë mendoj që kjo inkurajon respekt, respekt për të vërtetën dhe për të menduarit e kujdesshëm, të menduarit rigoroz. Por kjo vlen për gjithçka. Nëse ua mësoni mirë, atëherë diçka e mirë ndodh. Nëse ua mësoni keq, atëherë diçka e keqe ndodh. Historia e madhe nuk përbën përjashtim.

Pak pesimizëm. Pse të mësojmë për Historinë e madhe kur na kanoset entropia, shkatërrimi nga disa drejtime?

Mendoj që ka një përgjigje të qartë për këtë. Njëra prej gjërave më të çuditshme te Historia e madhe është që e dimë idenë e entropisë. E megjithatë, nëse e shikoni historinë e universit, ajo që e shohim është ideja e entropisë. Ajo që e shohim është që pavarësisht Ligjit të Dytë të Termodinamikës, gjëra interesante janë shfaqur në universin tonë, përfshirë mua dhe ju. Prandaj, këtu qëndron pyetja njëmend magjepsëse në zemrën e Historisë së madhe: Si, në një univers të dominuar nga Ligj i Dytë i Entropisë ka qenë e mundur që të krijohen gjëra komplekse, si atomet, kimikatet, ose yjet, ose planetët, ose qeniet e gjalla, ose qeniet njerëzore? Dhe ne i kemi disa përgjigje ndaj këtyre pyetjeve. Madje, njëra prej tyre është disi paradoksale – e që thotë se vetë entropia kërkon krijimin e gjërave komplekse sepse gjërat komplekse riprocesojnë energjinë në mënyra të cilat, si pasojë, e transformojnë eventualisht energjinë në një formë të padobishme të energjisë së nxehtësisë. Me fjalë të tjera, sa më gjëra komplekse të ketë në univers, aq më shpejt universi do ta arrijë stadin e pleqërisë absolute, për të cilin fola më herët ku thashë se do të na shpenzohet energjia. Mirëpo, kjo është një përgjigje e mundshme për këtë mister. Ama, për mua, ky është njëri prej mistereve më të mëdha të cilin mund ta imagjinoni. Prapë, po flas për respektin. Kjo krijon një sens respekti për entitetet komplekse, si puna jonë, ose për një entitet edhe më kompleks, e që është shoqëria globale prej tetë miliardë qeniesh njerëzore të ndërlidhura. Pyetja: Cili është fati i shoqërisë globale? është për mua ndër pyetjet më ngacmuese të cilat mund t’ia shtroni një historiani – dhe, se çfarë mund të na thotë e ardhmja për fatin e mundshëm të këtij entiteti pjesë e së cilit jemi?

Cilat janë ndryshimet pozitive që i keni vërejtur te studentët që i janë ekspozuar Historisë së madhe?

Sa do të doja t’jua jepja një përgjigje të mirë në këtë pyetje. Një përgjigje e mirë ndaj kësaj pyetjeje do të përfshinte studime sistematike, shumë intervista, grupe studimi, e gjëra të tilla. Dhe, nuk ka qenë e mundur që ta bëjmë një hulumtim të tillë. Të vetmet përgjigje që mund t’jua jap janë prej përshtypjeve. E di që si mësues i Historisë së madhe, dhe nga ajo që kam dëgjuar nga mësues të tjerë të Historisë së madhe, që shumë nxënës, jo të gjithë nxënësit, janë shumë entuziastë për idenë e një pasqyre të përgjithshme të krejt historisë së universit. Në fund të fundit, është si një tregim origjine. Shumë shoqëri në Tokë kanë pasur tregim origjine, tregime se si gjithçka ka ardhur në ekzistencë. Shoqëritë e krishtera kanë pasur vetëm një tregim të origjinës në Bibël, në Librin e Zanafillës. Prandaj, është shumë normale për shoqëritë që t’i mësojnë këto tregime. Gjëja e çuditshme është që shoqëria moderne shkencore, e cila di aq shumë, në fakt nuk e ligjëron tregimin e origjinës.

Mendoj që një Histori e madhe është një tregim i origjinës për një epokë shkencore. Prandaj, e di që shumë studentë ngazëllehen kur dikush i bën bashkë të gjitha këto histori të ndryshme të qenieve njerëzore, të kombeve të caktuara, të jetës në Tokë, dhe të kozmosit. Ne do t’i bëjmë bashkë dhe do të tentojmë të shohim dhe ta kuptojmë universin pjesë e së cilit jemi. Tani, e di nga përvoja personale – Bill Gatesi e ka përkrahur bërjen e një kursi falas online mbi Historinë e madhe, e që tani po mësohet në një apo dy mijë shkolla në ShBA dhe Australi. Ky kurs është në dispozicion që 13 vjet, dhe ende po funksionon. Madje po punojmë në një version të rishikuar të programit mësimor. Prandaj, e di që disa nxënës janë shumë entuziastë, mirëpo, është për keqardhje që ideja e Historisë së madhe nuk është marrë seriozisht nga departamentet e arsimit dhe politikanët. Mendoj që arsye e madhe është që politikanët, shumica e politikanëve, kanë një interes vetëshërbyes të përqendruar në idenë e kombit. Kësisoj, nëse pyesni një politikan: A duhet të investoj para në të mësuarit e historisë së Kosovës apo historisë së universit, dhe ata nuk kanë edhe aq shumë para, atëherë cilën zgjedhje do ta bëjnë? Njëjtë në Australi. Prandaj, të mësuarit e historive kombëtare është në interesat e qeverive. Të mësuarit e historisë së njerëzimit mund të jetë në interesat e Kombeve të Bashkuara, të UNESCO-s, por UNESCO-ja nuk ka shumë para. Prandaj, për momentin, së paku, shoh perspektivë të kufizuar të së mësuarit të Historisë së madhe. Kjo varet shumë nga entuziazmi i mësuesve të caktuar për momentin. Do të doja t’jua jepja një përgjigje më shkencore pyetjes suaj, por nuk mundem.

Nga faqja e parë te e fundit, cilat janë leksionet që mund t’i nxjerrim nga Historia e madhe mbi atë se si “duhet” ta jetojmë jetën?

Nuk jam i sigurt nëse ka një përgjigje të qartë dhe të thjeshtë për këtë pyetje përbrenda Historisë së madhe. Po, mund t’jua jap disa përgjigje që kanë kuptim për mua personalisht. Njëra prej tyre është një ide që është e pranishme në budizëm. Është ajo që të ekzistuarit si krijesë e gjallë është diçka shumë e pazakontë. Shumica e pjesëve të universit konsistojnë në gjëra që nuk janë gjallë. Prandaj, nëse ju keni lindur, atëherë kjo është një gjë shumë, shumë e rrallë. Shumica e pjesëve të universit konsistojnë në gjëra që nuk janë gjallë. Prandaj, pasi ju ka rastisur që të lindni, kjo është një gjë shumë, shumë e rrallë. Është një mundësi. Dhe, në pikëpamjen time, kjo do të thotë që koha juaj e shkurtër me jetën është një mundësi për ta eksploruar botën në të cilën keni lindur – por jo, nuk është vërtet një poentë morale, dhe nuk është një e tillë të cilën do të doja t’ua imponoja njerëzve të tjerë. Njëra prej pyetjeve që ngrehet me Historinë e madhe është: Sa e rrallë është jeta? Për momentin, kjo është një pyetje shumë ngacmuese, sepse mund të nxjerrim përgjigje shumë të mira për këtë pyetje brenda një ose dy dekadave. Kemi zbuluar shumë, shumë planetë për të cilët ne nuk e kemi ditur 20 vjet më parë kur kam filluar ta jap Historinë e madhe. Prandaj, shanset që ka shumë jetë në univers janë rritur. Mirëpo, shumica e këtyre jetëve me shumë gjasë janë bakteriale – Sa janë gjasat që ekzistojnë organizma komplekse si njerëzit? Për momentin, nuk e dimë.

Sa dhe si e kuptimëson jetën tonë ky hartëzim i tregimit të origjinës së ekzistencës?

Mendoj që kjo lidhet fuqishëm me kuptimin e ekzistencës sonë. Unë nuk jam fetar. Me fjalë të tjera, nuk besoj në fe. E marr shkencën shumë seriozisht, edhe pse nuk mendoj që shkenca ka monopol mbi të vërtetën, sepse vetë shkenca evoluon në mënyrë të vazhdueshme. Mirëpo, mendoj që përgjigjet më të mira të cilat i kemi për pyetjet më të thella mbi botën vijnë nga shkenca moderne. Mirëpo, shkenca është shumë ngurruese për të nxjerrë leksione morale. Prandaj, për mua, është e rëndësishme që të tentoj ta shoh shkencën moderne dhe ta kuptoj mjaftueshëm mirë se çfarë na tregon për botën – për botën pjesë e së cilës jemi dhe për natyrën e species sonë. Prandaj, nëse ka kuptim për t’u gjetur në qeniet njerëzore, atëherë diçka si Historia e madhe është vendi ku ju duhet ta kërkoni. Për sa i përket çështjes së kuptimit, shumë fe e marrin për të garantuar që kuptimi është i ndërtuar brenda universit – që mund të ketë një Zot krijues, një kuptim të krijuar. Unë, si shumë njerëz që i janë dedikuar shkencës, nuk besoj në këtë gjë. Unë mendoj që universi vetëm ekziston. Universi nuk ka kuptim. Mirëpo, nëse jeni një qenie njerëzore, atëherë nuk mund t’i shmangeni kërkimit për kuptim. Prandaj, kuptimi është diçka të cilin ne qeniet njerëzore e krijojmë.

Kështu, pyetja duhet ndoshta të riformulohet: Çfarë lloji të kuptimit mund të gjejmë ne si qenie njerëzore? Çfarë rëndësie mund të gjejmë në këtë tregim të origjinës? Mendoj që ekzistojnë përgjigje për këtë pyetje. Për shembull, njëra prej tyre, ta zëmë problemet si ndryshimet klimatike. Kjo është diçka shumë e rëndësishme. Nëse vazhdojmë të përdorim lëndët djegëse fosile në shkallën në të cilën i kemi përdorur në dy shekujt e fundit, do të krijojmë shumë rreziqe dhe probleme për gjeneratat e ardhshme. Tani, kjo është copëz e njohurisë që vjen nga shkenca moderne. Është shumë e rëndësishme, sepse na udhëzon mbi atë se çfarë duhet të bëjmë sot. Njëjtë me luftën bërthamore. Ne e dimë se cilat janë pasojat e luftës bërthamore. Prandaj, kjo na udhëzon.

Një gjë tjetër, nëse e shihni tërë historinë e njerëzimit të species sonë, atë që e shihni është që një specie është jashtëzakonisht e aftë që të mësojë gjëra të reja për botën dhe të mësojë mënyra të reja për ta manipuluar botën. Prandaj, e dimë që si specie, jemi shumë të mirë që të mësojmë mënyra të reja për t’u marrë me botën. Për mua ky është një mesazh shumë shpresëdhënës sepse do të thotë që jemi shumë të aftë që ta gjejmë dhe zgjidhim problemin që në fillim dukej i pazgjidhshëm. Mirëpo, do të thotë po ashtu që jemi shumë të aftë që të bëjmë gjëra të rrezikshme si krijimi i armëve atomike. Prandaj, nuk ka përgjigje të thjeshta këtu. Mirëpo, ajo që e mësojmë nga Historia e madhe mendoj që na e ofron një sens se çfarë është e rëndësishme e çfarë jo në botën tonë.

Thënë me metaforë, nga veprimet njerëzore, çfarë konsideroni se është “energji e lirë” e çfarë “energji e nxehtësisë”?

Kjo është një pyetje aq delikate, aq komplekse, sa që as që do të lodhem t’i përgjigjem, sepse ajo për të cilën ju vërtet po pyesni është vullneti i lirë, apo diçka si vullneti i lirë. Për momentin, mendoj që ndoshta shumica e shkencëtarëve që janë të ndikuar nga fizika kuantike do të thoshin që universi nuk është determinist. Me fjalë të tjera, cilido detaj i së ardhmes nuk ka qenë i skicuar në të kaluarën. Ka gjëra të paparashikueshme, njëmend gjëra të paparashikueshme për të ardhmen. Prandaj, nuk mund të themi sigurt se si do të duket e ardhmja. Nuk ka mundësi që ne ndonjëherë do të mund të themi se si do të duket e ardhmja. Kjo në parim do të thotë që megjithatë ka vend për zgjedhje. Kjo gjen kuptim sepse po të mos kishte vend për zgjedhje, atëherë e gjithë ideja e evolucionit darvinian nuk do të kishte kuptim. E tërë ideja e evolucionit darvinian pandeh që organizmat individualë bëjnë zgjedhje, dhe që ato zgjedhje çojnë peshë. Ato e bëjnë dallimin. Mirëpo, ne ende nuk e kemi argumentin që vullneti i lirë ekziston. Dhe në këtë pikë, nuk mendoj që është një pyetje të cilën ende e kuptojmë.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

<!–

–>

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT