Shqiptari Rrustem Hysenaj, 38-vjeçar i cili po shkonte në punë herët në mëngjesin e së hënës, u ndal papritur nga një burrë rreth të 30-ave pranë parkut në Muhlemattstrasse të Zvicrës.
I shqetësuar, ai i kërkoi ndihmë duke i treguar se kishte gjetur një të moshuar në brigjet e lumit, teksa po shëtiste qenin e tij, raporton Blick.ch, transmeton Klankosova.tv.
“E kuptova menjëherë seriozitetin e situatës dhe nuk hezitova,” tha Hysenaj.
Sipas tij, burri kishte arritur ta tërhiqte viktimën deri në breg, por nuk mund ta zhvendoste më tej i vetëm.
Hysenaj theksoi se disa shoferë të tjerë, të cilëve iu kërkua ndihmë, kishin vazhduar rrugën pa u ndalur, megjithatë, ai vendosi të ndërhyjë menjëherë.
“Ai ishte hipotermik dhe dridhej i gjithi,” kujton Hysenaj.
Ngjarja ndodhi pak para orës 5:30 të mëngjesit, ndërsa Hysenaj ishte nisur më herët se zakonisht drejt punës.
“Ishte rastësi e pastër që isha në rrugë në atë kohë”, shtoi ai.


