Saturday, September 26, 2026
spot_img
HomeLajmeNjë javë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ende asnjë takim për çështjen...

Një javë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ende asnjë takim për çështjen e Presidentit

Një javë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese së Kosovës, skena politike në Kosovë vazhdon të mbetet e bllokuar sa i përket zgjedhjes së presidentit, pa ndonjë hap konkret nga partitë parlamentare për zhbllokimin e situatës.

Sipas afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja, Kuvendi ka edhe 27 ditë kohë për ta përmbyllur procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit. Nëse kjo nuk ndodh brenda këtij afati, atëherë Kuvendi do të shpërndahet automatikisht dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se do të nisë takime me liderët e partive opozitare për të diskutuar rrugën drejt një zgjidhjeje politike. Megjithatë, deri më tani, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kurti ka bërë të ditur gjithashtu se, pas përfundimit të konsultimeve të brendshme, do t’u dërgojë ftesa zyrtare liderëve opozitarë, por ka lënë të kuptohet se përmbajtja e bisedimeve dhe kërkesat eventuale do të varen nga vetë takimet.

Në anën tjetër, opozita po pret lëvizjen e parë nga partia në pushtet, ndonëse edhe vetë subjektet opozitare kanë mbajtur mbledhje me kryesitë e tyre.

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se do të japin qëndrimin e tyre pasi të marrin një ftesë konkrete për takim. Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq, ka lënë të hapur mundësinë që vendi të shkojë edhe në zgjedhje, nëse nuk arrihet kompromis politik.

Ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shprehur skepticizëm, duke vlerësuar se nuk shohin gatishmëri reale te fituesi i zgjedhjeve për të ndërtuar një zgjidhje të përbashkët.

Përpjekje për takim mes Kurtit dhe liderëve opozitarë kishte edhe para seancës së 5 marsit, kur Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin për shkak të mungesës së kuorumit.

Madje, kryeministri kishte dërguar ftesa për konsultime edhe në periudhën kur çështja po trajtohej nga Gjykata Kushtetuese. Por, në atë kohë, partitë opozitare kishin refuzuar të uleshin në tavolinë, me arsyetimin se fillimisht duhej pritur interpretimi përfundimtar i Kushtetueses.

E gjithë situata mori rrugë institucionale pasi presidentja Vjosa Osmani kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, vetëm një ditë pas dështimit të votimit për presidentin. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese më pas konstatoi se ai dekret nuk kishte prodhuar efekt juridik.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT