Saturday, September 26, 2026
spot_img
HomeLajmeShqipëria nis sonte aventurën në Ligën e Kombeve, përballet me Bjellorusinë

Shqipëria nis sonte aventurën në Ligën e Kombeve, përballet me Bjellorusinë

Kombëtarja e Shqipërisë nis sonte (e shtunë) aventurën e re në Ligën e Kombeve, teksa në stadiumin “Air Albania” pret Bjellorusinë në ndeshjen e parë të Grupit 1 të Ligës C.

Përballja në Tiranë zhvillohet nga ora 20:45 dhe shënon debutimin zyrtar të Rolando Maranit në stolin e kuqezinjve, pas largimit të Sylvinhos në maj.

Shqipëria vjen në këtë takim pas një periudhe jo të lehtë, me pesë humbje radhazi në të gjitha garat. Në dy ndeshjet e fundit miqësore, të zhvilluara në qershor, kuqezinjtë u mposhtën 1-0 nga Izraeli dhe Luksemburgu.

Në anën tjetër, Bjellorusia e drejtuar nga Viktor Goncharenko është e pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit, me tri fitore dhe tri barazime. Gjatë këtij viti ka mposhtur Qipron, Armeninë dhe Sirinë, ndërsa së fundmi barazoi 2-2 me Burkina Fason.

Megjithatë, historia e përballjeve direkte është në favor të Shqipërisë. Kuqezinjtë nuk kanë humbur në katër ndeshjet e fundit ndaj Bjellorusisë, me tri fitore dhe një barazim. Dy përballjet e fundit mes tyre në Ligën e Kombeve, në edicionin 2020/21, përfunduan me fitore të Shqipërisë.

Pas ndeshjes së sonte, Shqipërinë e pret një tjetër seri e ngjeshur. Më 29 shtator do të udhëtojë për t’u përballur me San Marinon, më 3 tetor luan në transfertë ndaj Finlandës, ndërsa më 6 tetor do të jetë nikoqire e San Marinos.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT