Një fotografi nga Maja e Korabit, në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka tërhequr vëmendjen e mediave maqedonase, shkruan Gazeta Sinjali.
Klubi Alpin Gjilan ka publikuar fotografi nga ngjitja në Majën e Korabit, në lartësi prej 2,764 metrash, ku shihen flamuri i UÇK-së dhe simboli i shqiponjës dykrenare.
“Me flamurin e UÇK-së dhe shqiponjën dykrenare, kjo ngjitje ishte edhe një shenjë mbështetjeje dhe respekti për vlerat tona dhe luftën e drejtë për liri”, thuhet në postimin e klubit.
Një prej pjesëmarrësve në ngjitje ka thënë për redaksinë e Sinjalit se bëhej fjalë për një grup prej katër personash, ndërsa fotografitë e publikuara nga Klubi Alpin Gjilan më pas janë marrë nga një media maqedonase.
“Një grup i vogël, katër veta, e kemi ngjit Majën e Korabit dhe në faqen e Klubit Alpin nga Gjilani i kemi postu disa foto. Kanë hy në faqe, e kanë marrë këtë foto dhe kanë ba një shkrim. Ju pengojnë maqedonasve simbolet tona kombëtare”, ka thënë ai për Sinjalin.
Për rastin ka raportuar një media maqedonase, e cila pretendon se në vendin ku më herët ishte vendosur flamuri maqedonas, tani është parë një konstruksion metalik me shqiponjën dykrenare.
“Në rrjetet sociale është shfaqur një foto e alpinistëve që ngjiten në majën e Korabit, ku shihet se në vendin ku më parë ishte vendosur flamuri maqedonas, tani qëndron një strukturë metalike me shqiponjën dykrenare, simbol i flamurit shqiptar”.
“Sipas njoftimeve, në të kaluarën në këtë vend ka pasur raste të heqjes ose zëvendësimit të flamurit maqedonas me simbole shqiptare”, ka shkruar media maqedonase.
Maja e Korabit, me lartësi prej 2,764 metrash, ndodhet në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është pika më e lartë e të dyja vendeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


