Gazeta Sinjali ka siguruar detaje të reja për incidentin në pikën kufitare në Vërmicë, ku një zyrtar i Policisë së Kosovës është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Kanosja”.
Sinjali kishte raportuar më herët se bëhet fjalë për policin Ukë Gega, ndërsa Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar se incidenti ka përfshirë një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor dhe se ky i fundit është ndaluar për 48 orë.
Por burime të Sinjalit pranë pikës kufitare tash kanë zbuluar edhe rrethanat që dyshohet se i paraprinë kanosjes.
Sipas këtyre burimeve, ngjarja ka nisur kur një doganier i ri ka ndaluar për kontroll një veturë që po kalonte nëpër pikën kufitare në Vërmicë.
Në veturë, sipas informacioneve të Sinjalit, ndodhej edhe një zyrtar policor nga Shqipëria. Pasi doganieri ka kuptuar pozitën e tij zyrtare, i ka bërë me dije se mund të vazhdonte.
Polici nga Shqipëria, megjithatë, mësohet se ka insistuar që doganieri ta kryente kontrollin deri në fund.
“Jo, hape krejt veturën dhe kontrollo ku të duash”, mësohet t’i ketë thënë ai.
Pikërisht pas kësaj, sipas burimeve të Sinjalit, situata ka marrë tjetër rrjedhë.
Nga vetura ka dalë Ukë Gega, zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili dyshohet se ka reaguar ndaj doganierit me fyerje dhe kërcënime.
Burimet e Sinjalit thonë se në mesin e fjalëve që dyshohet se Gega ia ka drejtuar doganierit kanë qenë edhe:
“Ti koke shka, po lyp plumb”.
Doganieri, sipas burimeve, nuk është përfshirë në përplasje verbale, por ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë duke telefonuar në numrin emergjent 112.
Rasti më pas është marrë në trajtim nga organet kompetente.
Prokuroria Themelore në Prizren ka konfirmuar se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, zyrtari policor është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Kanosja”, ndërsa për shkak të fazës së hetimeve nuk ka dhënë hollësi të tjera.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


