Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet sot seanca fillestare ndaj Art Fejzës, 26-vjeçarit që po përballet me drejtësinë lidhur me grabitjen në marketin “Maxi24”, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, rast për të cilin Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht që nga dita e ngjarjes dhe më pas edhe për identifikimin e arrestimin e të dyshuarit.
Rasti kishte ndodhur më 28 gusht 2026, rreth orës 01:30, derisa në market po punonte një 32-vjeçar me inicialet A.Z.
Sipas informacioneve që Sinjali kishte siguruar atëkohë, personi i dyshuar ishte përshkruar si i veshur me duks të bardhë dhe me kapuç në kokë. Ai dyshohet se kishte hyrë në market, ishte drejtuar te arka dhe, nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë, kishte kanosur arkëtarin duke i kërkuar t’ia dorëzonte paratë që ndodheshin në arkë.
Nga arka dyshohet se ishin marrë rreth 250 euro, ndërsa personi ishte larguar në drejtim të panjohur. Rasti ishte raportuar në Polici rreth 10 minuta pas ngjarjes, me ç’rast njësitë policore kishin dalë në lokacion dhe kishin patrulluar në zonën përreth, por atë natë nuk kishin arritur ta lokalizonin të dyshuarin. Me udhëzim të Prokurorit kompetent ishte iniciuar rasti për veprën penale “Grabitja”.
Vetëm një ditë më vonë, më 29 gusht, Sinjali raportoi ekskluzivisht se personi i identifikuar nga organet e rendit ishte Art Fejza, 26 vjeç. Hetimet për zbardhjen e rastit ishin zhvilluar nga Njësia e Hetimeve e Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit.
Sipas informacioneve të publikuara nga Sinjali, rreth orës 18:40, Njësia Reaguese e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kishte siguruar prezencën e Fejzës. Ai ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në praninë e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Pas intervistimit, Prokurori i Krimeve të Rënda kishte nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij, ndërsa Fejza ishte dërguar për 48 orë në Qendrën e Mbajtjes në Lipjan.
Tash, gati një muaj pas ngjarjes, rasti ka mbërritur para gjykatës dhe sot po zhvillohet seanca fillestare ndaj Fejzës.
Gazeta Sinjali po e përcjell seancën nga Gjykata dhe do të raportojë për deklarimin e të akuzuarit dhe vendimet që do të merren gjatë shqyrtimit.
Shënim: I akuzuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Lexo raportimin ekskluziv të Sinjalit për arrestimin:
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


