Një moment historik për Kosovën është shënuar të enjten mbrëma në Taranto të Italisë, ku flamuri i Lojërave Mesdhetare iu dorëzua zyrtarisht Prishtinës, nikoqire e edicionit të vitit 2030.
Ceremonia simbolike e kalimit të organizimit te Kosova u zhvillua para më shumë se 20 mijë shikuesve në stadium.
Flamurin e Lojërave Mesdhetare e pranoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke shënuar kështu nisjen zyrtare të përgatitjeve për “Prishtina 2030”.
Një moment tjetër simbolik ishte ngritja e flamurit të Kosovës përkrah atij të Italisë dhe flamurit të Lojërave Mesdhetare. Flamurin shtetëror e dorëzoi basketbollisti Adhurim Alijaj, ndërsa ngritja e tij u shoqërua me intonimin e himnit të Kosovës.
Gjatë ceremonisë u shfaq edhe videoja promovuese e “Prishtina 2030”, përmes së cilës Kosova dhe kryeqyteti u prezantuan si nikoqirët e ardhshëm të kësaj ngjarjeje të madhe sportive.
Në ceremoninë mbyllëse të “Taranto 2026”, flamurin e Kosovës e bartën karateistët Islam Selmani dhe Fortesa Orana.
Në stadium ishin të pranishëm edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, të udhëhequr nga presidenti Ismet Krasniqi.
Pas përfundimit të edicionit “Taranto 2026”, vëmendja zhvendoset drejt Prishtinës, e cila më 2030 do t’i presë sportistët nga vendet e Mesdheut.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


