Një rast shqetësues është denoncuar në Leposaviq, ku një vajzë e mitur ka raportuar në Polici ish-të dashurin e saj, duke pretenduar se ai kishte ushtruar dhunë ndaj saj dhe se edhe më herët e kishte kanosur, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është N.D, 33-vjeçar, ndërsa viktima është një vajzë 18-vjeçare.
Rasti ka ndodhur të mërkurën, më 2 shtator, rreth orës 20:25, në rrugën “Djura Jaksic” në Leposaviq.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, e reja ka deklaruar se ishte takuar me ish-të dashurin e saj, me të cilin ishte ndarë vetëm gjashtë ditë më parë.
Gjatë takimit, i dyshuari dyshohet se i kishte propozuar të uleshin në një lokal për të ngrënë, por ajo kishte refuzuar.
Pas refuzimit, sipas deklaratës së viktimës, situata kishte eskaluar.
N.D dyshohet se e kishte kapur të renë me dorë nga pjesa e pasme e qafës, e kishte shtrënguar dhe më pas e kishte shtyrë përpara. Viktima kishte arritur të largohej dhe ishte nisur në drejtim të shtëpisë.
Por gjatë intervistimit në Polici, e reja ka ngritur pretendime edhe më serioze për raportin e mëhershëm me të dyshuarin.
Ajo ka deklaruar se ishte ndarë prej tij rreth gjashtë ditë më parë dhe se edhe më herët kishte pasur probleme, duke pretenduar se ai kishte qenë i dhunshëm, e kishte sulmuar fizikisht dhe e kishte kërcënuar se do të shkonte në shtëpinë e saj dhe do t’ia vriste gjyshen dhe gjyshin.
I dyshuari është shoqëruar nga njësitë policore në Stacionin Policor në Leposaviq, ku i është bërë edhe alkooltesti. Sipas informacioneve të Sinjalit, rezultati ka treguar 1.24 promilë alkool.
Viktima fillimisht është intervistuar në prani të gjyshes së saj, ndërsa të enjten, më 3 shtator, është intervistuar sërish, këtë herë në prani të një punëtoreje të Qendrës për Punë Sociale.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosja”, ndërsa procedura ndaj të dyshuarit do të zhvillohet në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet në trajtim nga organet kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


