Sot janë bërë 27 vjet nga një prej masakrave më të rënda në vendin tonë, asaj të Studimes në Vushtrri, ku janë vrarë 126 civilë të pafajshëm nga forcat serbe.
Për këtë ditë është organizuar ceremoni përkujtimore, ku po marrin pjesë familjarë e qytetarë të shumtë, sikurse edhe krerë institucionesh.
Gazetarja e Klan Kosova, Endrita Barjami, e ka përcjellë ceremoninë përkujtimore, nga ku ka dhënë detaje, transmeton Klankosova.tv.
“Varrezat e Studimes së Vushtrrisë sot janë mbushur plotë me familjarë e qytetarë të cilët kanë ardhur këtu për t’i kujtuar 116 civilët e pafajshëm të vrarë nga forcat serbe, pikërisht 27 vjet më parë. Këta 116 civilë ishin në mesin e qindra të tjerëve të cilët morën rrugën për në Shqipëri për t’i shpëtuar më të keqes, por nga forcat serbe u ndanë, ndërsa më pas u maltretuan dhe u pushkatuan”.
“Pikërisht në nderim të 116 civilëve këtu te varrezat, përveç familjarëve, në pritje janë edhe krerët shtetërorë. Në fakt e para që erdhi këtu ishte ish-presidentja Vjosa Osmani e cila ishte e shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj bëri homazhe këtu deri sa vizitoi familjarët e atyre që u vranë, ku edhe theksoi që pikërisht pas kaq viteve pas këtyre krimeve serbe ende nuk ka drejtësi”, ka thënë gazetarja Bajrami.
Ajo poashtu bëri të ditur se në ceremoni, pjesëmarrëse është edhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ndërsa i ftuar ishte edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, por i njëjti deri në momentin e raportimit nuk është parë.
Pos tyre, në ceremoni prezente ishte edhe bashkëshortja e ish-presidentit Thaçi, Lumnije Thaçi, të cilës iu vranë shumë familjarë në këtë masakër, mes tyre edhe vëllai. /Klankosova.tv


