Opinionisti Dukagjin Gorani ka vlerësuar se një nga arsyet kryesore pse Lëvizja Vetëvendosje do të kishte interes për një qeveri koalicioni lidhet me proceset që e presin Kosovën në raport me dialogun me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Gorani tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka interes politik dhe historik që përgjegjësia për vendimet e ardhshme të mos mbetet vetëm mbi të.
Sipas tij, implementimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe presionet që pritet të shoqërojnë vazhdimin e dialogut me Serbinë janë çështje për të cilat Kurti synon ta ndajë barrën politike me partnerë të tjerë qeverisës.
“Për partinë Vetëvendosje është jetike me e shpërnda përgjegjësinë edhe fajin para proceseve. Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, presionet që kanë me u zhvillu gjatë rifillimit dhe vazhdimit të procesit të dialogut janë çështje për të cilat kryeministri aktual në detyrë është i interesuar me shpërnda sa më shumë përgjegjësinë edhe të mos jetë i vetmuar në sjelljen e vendimeve.”
Gorani tha se Kurti rrezikon që i vetëm të mbajë peshën politike të zbatimit të marrëveshjeve, duke pasur parasysh se karrierën e tij politike e ka ndërtuar duke i kundërshtuar ato.
“Ti ke ndërtuar karrierë duke i kundërshtuar gjërat që qëndrojnë sot nëpër marrëveshjet politike me Serbinë, e tash duhesh, për shkak të pushtetit, me i implementu deri në fund secilën. Atë punë me e bë i vetmuar rrezikon vulosjen e imazhit tënd në histori si një politikan i cili është ngritur përmes një çështjeje e mandej ka përfunduar duke e implementuar po të njëjtën që e ka kundërshtuar”.
Ai shtoi se, ndonëse Vetëvendosje mund të mos ketë nevojë për partnerë nga aspekti i numrave, sipas tij ka nevojë për një koalicion nga aspekti politik.
“Shpërndarja e përgjegjësisë dhe zgjerimi i paletës së pjesëmarrësve në këto procese është në interes të partisë Vetëvendosje, sado që aritmetikisht nuk kanë nevojë për koalicion. Ata s’kanë nevojë për koalicion aritmetikisht, mirëpo kanë nevojë politikisht edhe kanë nevojë historikisht, së paku sa i përket Kurtit”, deklaroi ai.


