Opinionistja politike, Besa Luzha ka vlerësuar se takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është një sinjal se ekziston vullnet për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.
Ajo tha se rezultatet zgjedhore janë të qarta dhe se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, e ka legjitime të vazhdojë procedurat për konstituimin e institucioneve.
Sipas Luzhës, nëse është e vërtetë se gjatë negociatave LDK-së i është ofruar posti i kryetares së Kuvendit, kjo paraqet një paradoks, duke pasur parasysh insistimin e mëhershëm se vetëm partisë së parë i takon ky post.
“Nëse është e vërtetë që është ofruar pozicioni i kryetarit të Kuvendit, pak është paradoksale që, pasi për një kohë të gjatë është mbajtur peng vendi, për shkak të pamundësisë për të zgjedhur atë. Takimi doli pasuksesshëm, me detaje jo shumë qarta, pa ndonjë marrëveshje finale. Pozicionet njëherë janë testuar, por ende nuk kemi një sqarim të plotë se si ka shkuar”.
Megjithatë, ajo e konsideroi pozitiv faktin që Kurti deklaroi se është i gatshëm të takohet edhe me partitë e tjera.
“Vetë fakti që Kurti tha se është i gatshëm të takohet edhe me partitë e tjera, për mua është një shenjë optimizmi. Kam përshtypjen se kësaj radhe ekziston një seriozitet më i madh”, deklaroi ajo.


