Wednesday, August 5, 2026
spot_img
HomeLajmeGjini akuzon Kurtin se po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja:...

Gjini akuzon Kurtin se po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja: Ka nisur procesin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po nis një proces që, sipas tij, synon dërgimin e vendit në zgjedhje të reja të parakohshme.

Në një intervistë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Gjini ka pretenduar se zhvillimet e fundit politike janë pjesë e një strategjie të Kurtit për të krijuar terren për zgjedhje, madje duke përmendur mundësinë që ato të mbahen në dhjetor.

“Qofsha i gabuar, po çka pashë unë sonte, Kurti e ka nis procesin me çu vendin në zgjedhje dhe me ia lënë fajin dikujt tjetër”, ka deklaruar Gjini.

Sipas tij, Kurti po tenton që përgjegjësinë për krizën institucionale t’ua bartë partive të tjera dhe të krijojë një narrativë që do t’i shërbente në rast të zgjedhjeve të reja.

“‘S’pata faj unë, po këta i patën fajet’ – ky po don me na çu në zgjedhje se nuk ia ndien për qytetarin e Kosovës, po vetëm për pushtetin e vet”, ka thënë Gjini.

Ai ka bërë thirrje për, siç e ka quajtur, mobilizim dhe pjekuri politike, duke vlerësuar se Kosova duhet të gjejë një rrugëdalje nga krizat e vazhdueshme politike.

Deklaratat e Gjinit vijnë pas takimit të Kurtit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik dhe konstituimin e institucioneve të reja.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT