Klubi rus Rubin Kazani ka publikuar një video rreth 20-minutëshe kushtuar Mirlind Dakut, duke sjellë pamje nga momentet para, gjatë dhe pas ndeshjes së fundit të sulmuesit shqiptar me fanellën e klubit.
Daku u përshëndet me Rubin Kazanin në mënyrën më të mirë, duke shënuar gol në fitoren ndaj Akronit, në kuadër të xhiros së dytë të kampionatit rus. Ky ishte goli i tij i dytë në po aq ndeshje këtë edicion.
Pas përfundimit të takimit, 28-vjeçari u ngrit në ajër nga bashkëlojtarët, ndërsa nuk arriti t’i mbante lotët. Emocionet vazhduan edhe në dhomat e zhveshjes, ku ai mbajti një fjalim lamtumirës para futbollistëve dhe stafit teknik.
“Faleminderit shumë për këto tri sezone që kemi kaluar së bashku. Është e vështirë për mua, por është pjesë e jetës dhe është e rëndësishme t’i ruajmë gjithmonë marrëdhëniet që kemi”, u shpreh Daku.
Sulmuesi kosovar ishte pjesë e Rubin Kazanit që nga viti 2023, duke realizuar 37 gola në kampionatin rus dhe duke u shndërruar në njërin prej futbollistëve kryesorë të skuadrës.
Mediat ruse raportojnë se transferimi i tij te Spartak Moska është çështje e përfunduar, për një shumë që kap vlerën e rreth 11 milionë eurove.
Trajneri i Rubin Kazanit, Frank Artiga, e vlerësoi Dakun jo vetëm si futbollist, por edhe si një figurë të rëndësishme në zhveshtore.
“Daku është lojtar i madh dhe person shumë i dashur. Ai i jep skuadrës shpirtin e duhur dhe e ka dërguar Rubinin në një nivel tjetër”, deklaroi Artiga.
Edhe ish-trajneri Rashid Rakhimov dhe legjenda e futbollit rus Yuri Semin e kanë vlerësuar lart sulmuesin e Kombëtares së Shqipërisë, me këtë të fundit që e cilësoi si “lojtarin më të mirë të kampionatit”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


