Friday, September 11, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Gjykata rrëzon akuzat për keqpërdorim në KEK – shpallen të...

LEX | Gjykata rrëzon akuzat për keqpërdorim në KEK – shpallen të pafajshëm katër të akuzuarit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm katër ish-zyrtarët e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me një kontratë të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Departamenti i Krimeve të Rënda ka marrë aktgjykim lirues ndaj Ramadan Shalakut, Adem Alshiqit, Lah Dedincës dhe Shefqet Kaqiut, duke i liruar nga akuza për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Katër të akuzuarit po gjykoheshin lidhur me kontratën e KEK-ut për “Riparimin e punëtorisë elektro-makinerike me garderobë”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendonte se Ramadan Shalaku, në cilësinë e udhëheqësit në servisin e mihjes në KEK-Obiliq dhe menaxherit të kontratës, i kishte mundësuar operatorit ekonomik “Ar-Tech” Sh.p.k. përfitim financiar, ndonëse disa nga punimet e parashikuara me kontratë dyshohej se nuk ishin realizuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 mars 2024, veprimet e pretenduara i kishin shkaktuar buxhetit të KEK-ut dëm prej 7 mijë e 185 euro e 17 centësh.

Adem Alshiqi akuzohej në cilësinë e kryetarit të Komisionit për pranim teknik, ndërsa Lah Dedinca dhe Shefqet Kaqiu si anëtarë të tij. Prokuroria pretendonte se ata i kishin pranuar punimet e operatorit ekonomik, pavarësisht se një pjesë e tyre nuk ishte kryer ose ishte realizuar vetëm pjesërisht.

Të akuzuarit, të cilët që nga shqyrtimi fillestar e kishin mohuar fajësinë, janë liruar nga të gjitha pretendimet e aktakuzës pas përfundimit të procesit gjyqësor.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe ndaj tij palët mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT