Friday, September 11, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Dështon gjykimi për vrasjen e Triumf Rizës – Rrahim Abdullahu...

LEX | Dështon gjykimi për vrasjen e Triumf Rizës – Rrahim Abdullahu mungoi për shkak të gjendjes shëndetësore

Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj Ilir Abdullahut, i njohur me nofkën “Liza”, dhe Rrahim Abdullahut, i njohur si “Rrumqi”, të akuzuar në rastin e vrasjes së zyrtarit policor Triumf Riza.

Seanca ishte paraparë të mbahej në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, mirëpo gjykimi nuk mundi të vazhdonte për shkak të mungesës së Rrahim Abdullahut.

Në gjykatore u bë e ditur se Rrahim Abdullahu nuk ka mundur të paraqitet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Ndërkohë, i akuzuari Ilir Abdullahu u soll në gjykatore nën masa sigurie. Megjithatë, në mungesë të të bashkakuzuarit, nuk u plotësuan kushtet ligjore për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.

Për rrjedhojë, seanca u shty, ndërsa procesi ndaj dy të akuzuarve pritet të vazhdojë në një datë tjetër që do të caktohet nga Gjykata.

Ilir dhe Rrahim Abdullahu po përballen me akuza për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, lidhur me vrasjen e zyrtarit policor Triumf Riza.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, ata akuzohen se veprën e kanë kryer në bashkëkryerje me Arben Berishën dhe Fitim Avdiun, të cilët janë dënuar më herët për këtë rast, si dhe me Enver Sekiraqën.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 në Prishtinë. Vrasja e tij mbetet një prej rasteve më të njohura dhe më të rënda të drejtësisë në Kosovë, ndërsa proceset gjyqësore të lidhura me të kanë vazhduar për vite.

Ilir Abdullahu ishte arrestuar më 16 korrik 2023, pasi kishte qenë për një periudhë të gjatë në kërkim lidhur me rastin. Pas arrestimit të tij, procesi gjyqësor ndaj tij dhe Rrahim Abdullahut ka vazhduar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre penale të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT