Në Gjykatën Themelore Prishtinë Departamenti Special, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, dhe tre të bashkakuzuarve të tij.
Shkak për dështimin ishte mungesa e tre nga katër të akuzuarit, andaj nuk u krijuan kushtet ligjore për zhvillimin e seancës, në të cilën të pandehurit pritej të deklaroheshin rreth fajësisë.
Në këtë dosje, përveç Dërgutit, akuzohen Hasan Morina, Liridon Fandaj dhe Sali Dakaj.
Prokuroria Speciale e ngarkon Dërgutin me veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”, ndërsa Morina, Fandaj dhe Dakaj akuzohen për “Ushtrim ndikimi”.
Sipas aktakuzës, gjatë nëntorit të vitit 2019, Hasan Morina dhe Liridon Fandaj dyshohet se i kërkuan Sali Dakajt 300 mijë euro, duke i premtuar se do të ndikonin në vendimmarrjen e gjykatësit Latif Xhemajli lidhur me një lëndë përmbarimore.
Pretendohet se pagesa ishte paraparë të realizohej në dy pjesë: 150 mijë euro menjëherë dhe 150 mijë të tjera para përfundimit të lëndës në Gjykatën e Apelit.
Dosja lidhet me një procedurë përmbarimore ndërmjet kompanisë “EXCOM” Sh.P.K., në cilësinë e debitorit, dhe ndërmarrjes “Çlirimi”, në pronësi të Dakajt, në cilësinë e kreditorit.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, më 24 nëntor 2019, në parkingun e një restoranti në Prishtinë, Dakaj ia dorëzoi Morinës 150 mijë euro, me qëllim që të ushtrohej ndikim i paligjshëm për marrjen e një vendimi të favorshëm në çështjen përmbarimore.
Ndërkaq, Dërguti akuzohet se nga tetori i vitit 2021 kishte qenë në dijeni se të bashkakuzuarit dyshohej se e kishin kryer veprën penale, por nuk e kishte raportuar rastin tek organet kompetente.
Për shkak të mungesës së tre të akuzuarve, aktakuza nuk u lexua dhe të pandehurit nuk patën mundësi të deklaroheshin rreth fajësisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


