Monday, September 7, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | “A hala jeni gjallë?” – dëshmitari rrëfen për “kordonin” e...

LEX | “A hala jeni gjallë?” – dëshmitari rrëfen për “kordonin” e torturës në gjykimin ndaj Boban Toniqit

Dëshmitari Ali Gjyliqi ka rrëfyer para trupit gjykues për rrahjet dhe torturat që pretendon se të burgosurit shqiptarë i përjetuan gjatë kalimit nëpër të ashtuquajturin “kordon” në Burgun e Lipjanit.

Gjyliqi po dëshmon në procesin gjyqësor ndaj Boban Toniqit, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullsisë civile.

Sipas dëshmitarit, të burgosurit detyroheshin të kalonin pranë gardianëve të vendosur në distancë prej rreth një deri në një metër e gjysmë nga njëri-tjetri, të cilët i rrihnin gjatë kalimit.

“Gjatë kalimit kishte rrahje dhe tortura. Kalonim pranë tyre, ishin të vendosur çdo një metër apo një metër e gjysmë. Kishte shumë, ndoshta më shumë se 50 persona”, deklaroi Gjyliqi.

Ai tha se nëpër këtë kordon detyroheshin të kalonin edhe të burgosurit që ishin të plagosur.

“Madje edhe të plagosurit kalonin andej”, shtoi dëshmitari.

Gjyliqi tregoi se nuk kishte lëvizur shpejt gjatë kalimit nëpër kordon, ndërsa disa prej gardianëve i kishin njohur të burgosurit dhe i kishin pyetur nëse ishin ende gjallë.

“Disa gardianë na kanë njohur. Bile, njëri prej tyre na pyeti: ‘A hala jeni gjallë?’”, deklaroi ai para trupit gjykues.

Në vazhdim të dëshmisë, Gjyliqi kërkoi që Toniqi të shpallet fajtor dhe të dënohet, duke thënë se të burgosurve shqiptarë u janë bërë mjaft padrejtësi.

“Pres që të shpallet fajtor dhe të dënohet, sepse mjaft padrejtësi na janë bërë deri më tani”, tha dëshmitari.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT