Harbin Vitija, i njohur me nofkën “Plaku”, po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas plagëve të rënda të marra në një sulm me armë zjarri në lagjen Bregu i Diellit.
Sipas mjekëve të Klinikës Intensive, pacienti deri në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm ka qenë relativisht stabil sa i përket parametrave vitalë.
Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin Shaqir Uka, shef i Mjekimit Intensiv në QKUK, duke theksuar se lëndimet mbeten serioze.
“Gjendja shëndetësore deri në ora 09:00, ai ka vazhdu me marrë tretmanin mjekësor në njësinë Intensive. Vazhdon me qenë edhe më tutje, gjendja paraqitet relativisht stabile sa i përket parametrave vital, pavarësisht se lëndimet janë serioze dhe të rënda. Po them stabile sa i përket parametrave vital (tension, rrahjet e zemrës e këto), por lëndimet janë serioze”, ka deklaruar për Sinjalin Shaqir Uka, shef i Mjekimit Intensiv në QKUK.
Ngjarja ka ndodhur më 14 Maj 2026 kur persona të maskuar hapën zjarr në drejtim të Vitijës dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Deri më tani, autorët e dyshuar mbeten në arrati.
Policia e Kosovës po vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e tyre, ndërsa motivet e sulmit nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Për këtë rast, Sinjali ka raportuar ekskluzivisht.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


