Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas përfundimit të takimit rreth treorësh me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Kurti ka deklaruar se gjatë takimit është shprehur gatishmëri dhe vullnet për të bashkëpunuar në të ardhmen.
“Kjo natyrisht që është optimiste për të dy subjektet tona, besoj që është edhe një gjë shumë e mirë për vendin tonë”, tha ai.
Megjithatë, ai bëri të ditur se, pavarësisht tri orëve negociata, nuk është arritur një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.
Tutje, ai nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të reja në rast se nuk arrihet një dakordim politik.
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, por nëse nuk kemi marrëveshje, përkundër mosdëshirës, ato mund të shkaktohen. Jemi të vetëdijshëm edhe VV edhe LDK. Do të përpiqemi, do të vazhdojmë komunikimin. Meqenëse janë afruar ditët, koha është shkurtuar, do të mundohemi që edhe në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike nesër, pasnesër të jemi në fillimin e seancës konstituive të Kuvendit”, ka thënë ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


