Hulumtuesi i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi i ka reaguar Kishës Ortodokse Serbe, në lidhje me deklaratën e tij në emisionin “Edicioni Special” të Klan Kosova.
Deklarata kishte të bëjë me fshehje të armëve në Kishën Ortodokse Serbe, teksa Kuçi shprehet se kjo deklaratë nuk paraqet sulm ndaj fesë, popullit serb apo vet Kishës, por adreson një shqetësim të rëndësishëm për sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.
“Në vend që Kisha Ortodokse Serbe të adresojë në mënyrë të përgjegjshme pyetjen time, Kisha Ortodokse Serbe ka zgjedhur të kalojë në një sulm personal, duke e quajtur deklaratën time “shpifje” dhe pjesë të një “fushate për të nxitur urrejtje.” Kjo gjuhë nuk është vetëm disproporcionale, por përbën një përpjekje të hapur për të më delegjitimuar dhe për të ndikuar në opinionin publik kundër meje. Lidhja ime me “nxitjen e urrejtjes etnike dhe fetare” është një akuzë e rëndë, e pabazë dhe e rrezikshme, e cila sugjeron një përpjekje për të më heshtur dhe për të shmangur debatet legjitime mbi çështjet kritike”, shton tutje Kuçi në reagimin e tij.
Ai po ashtu thotë se reagimi i Kishës mund të perceptohet edhe si një kërcënim i hapur ndaj tij.
“Reagimi i Kishës dhe tonet e përdorura mund të perceptohen si një kërcënim i hapur ndaj meje, jo vetëm për deklaratat mbi Kishën, por për shkak të angazhimit tim për të kërkuar transparencë dhe për të ekspozuar faktet mbi sulmin terrorist në Zveçan dhe lidhjet e këtij sulmi me strukturat serbe të lidhura me regjimin e Aleksandar Vuçiçit. Kombinimi i këtyre sulmeve retorike nga Kisha dhe regjimi serb krijon një ambient kërcënues ndaj integritetit tim si studiues, qytetar dhe aktivist për të vërtetën”.
“Kisha nuk ka cituar asnjëherë burimin e saktë të intervistës sime. Përkundrazi, është mbështetur në interpretime të mediave që nuk përfaqësojnë fjalët e mia reale. Kjo strategji jo vetëm që është e pasinqertë, por shton presionin dhe rrezikun ndaj fjalës së lirë dhe pyetjeve publike. Nëse shqyrtohet çdo deklaratë e imja publike, përfshirë edhe këtë të fundit, është e qartë se unë kurrë nuk kam sulmuar popullin serb. Përkundrazi, i konsideroj ata si qytetarë të barabartë. Unë kurrë nuk kam kërkuar hakmarrje ndaj Serbisë, përkundër përvojave të mia personale tragjike, përfshirë burgosjen time si fëmijë, torturimin e babait tim, zhdukjen e gjyshit dhe burgosjen e anëtarëve të tjerë të familjes nga regjimi serb. Këto fakte tregojnë se sulmi i Kishës ndaj meje shtrihet përtej një reagimi fetar dhe është pjesë e një strukture më të gjerë kërcënimi dhe presioni politik. Prandaj, mbetem i përkushtuar për të vazhduar kërkimin e të vërtetës dhe mbrojtjen e lirisë së fjalës, duke u bazuar gjithmonë në fakte dhe dialog të hapur”, ka shtuar tutje Kuçi.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>


