Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez, ka dënuar valën e re të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj vendit, duke i cilësuar ato si “të paligjshme dhe abuzive”.
Një urdhër ekzekutiv, i nënshkruar të premten nga presidenti amerikan Donald Trump, prek zyrtarët në sektorët e energjisë, mbrojtjes, financave dhe sigurisë të ekonomisë kubane, si dhe ata që ai pretendon se kanë kryer “abuzime të të drejtave të njeriut” ose korrupsion.
Trump ka vazhduar të ashpërsojë politikën e jashtme amerikane ndaj Kubës, duke lënë të kuptohet se synon ndryshimin e udhëheqjes komuniste në ishull.
Ai deklaroi se SHBA-ja do të “marrë përsipër” Kubën, e cila ndodhet rreth 145 kilometra nga Florida, “pothuajse menjëherë”.
“Gjatë rrugës së kthimit nga Irani, do të kemi një nga aeroplanmbajtëset tona të mëdha – ndoshta aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln – më të madhin në botë, që do të vijë, do të ndalet rreth 90 metra larg detit, dhe ata do të thonë: ‘Faleminderit shumë. Ne dorëzohemi’”.
Në një postim në X, Rodriguez tha se “masat shtrënguese të njëanshme” shkelin Kartën e Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se ato synojnë të vendosin “ndëshkim kolektiv kundër popullit kuban”.
Lëvizjet e fundit të Trumpit për të ushtruar presion mbi ekonominë e vendit vijnë pavarësisht se presidenti kuban Miguel Díaz-Canel kishte konfirmuar në mars se Kuba po negocionte me SHBA-në për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Bllokada dhe përforcimi i saj shkaktojnë kaq shumë dëm për shkak të sjelljes frikësuese dhe arrogante të fuqisë më të madhe ushtarake në botë”, shkroi Díaz-Canel në X pas njoftimit të masave të reja.
Një bllokadë amerikane ndaj naftës për Kubën ka sjellë mungesa të karburantit dhe ndërprerje të përhapura të energjisë, duke ndikuar në shërbimet spitalore, transportin publik dhe arsimin. Vetëm një anije cisternë ruse me naftë ka mbërritur në vend që nga vendosja e bllokadës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


