Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po vazhdon procesi i shtypjes së fletëvotimeve në shtypshkronjën “Cetis” në Celje të Sllovenisë.
Sipas KQZ-së, në procesin e mbikëqyrjes së shtypjes së fletëvotimeve janë të përfshirë të gjithë anëtarët e Komisionit, deri në përfundimin e tij.
Në Celje të Sllovenisë ka qëndruar edhe kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
“Fillimisht, procesi i shtypjes së fletëvotimeve është mbikëqyrur nga anëtarët Ilir Gashi, Sami Hamiti, Muharrem Nitaj, Violeta Salihu, ndërsa më pas mbikëqyrja është vazhduar nga Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtari Alban Krasniqi. Gjatë ditëve në vijim, fazat përmbyllëse të këtij procesi do të mbikëqyren edhe nga anëtarët e tjerë të KQZ-së Stefan Filipović, Delvir Tairi dhe Shukrije Stolla. Pjesë e këtyre ekipeve janë edhe zyrtarë të Sekretariatit të KQZ-së”, njofton KQZ.
KQZ bën të ditur se fletëvotimet përmbajnë elemente të avancuara të sigurisë, të cilat garantojnë autenticitetin dhe mbrojtjen e tyre nga kopjimi apo falsifikimi, në përputhje me standardet e përcaktuara nga institucioni.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


