Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet M.N., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kontrabandimi me migrantë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur më 18 mars 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Drelaj të Rugovës. I pandehuri dyshohet se, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, ka tentuar të transportojë migrantë drejt kufirit me Malin e Zi.
“Hetimet tregojnë se M.N. fillimisht ishte takuar me disa shtetas të huaj të nacionalitetit sudanez në Stacionin e Autobusëve në Pejë. Pas një marrëveshjeje të arritur mes tyre, ai kishte pranuar t’i dërgojë pranë kufirit, me kusht që pagesa për shërbimin të bëhej pasi të mbërrinin në destinacion”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, gjatë realizimit të këtij plani, automjeti i të pandehurit është vërejtur nga Policia Kufitare në zonën e Rugovës. Gjatë kontrollit, migrantët janë identifikuar, ndërsa i dyshuari është arrestuar në vendngjarje. Po ashtu, është sekuestruar edhe vetura që dyshohet të jetë përdorur për kryerjen e veprës penale.
Prokurori i rastit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës kompetente që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin për veprën penale që i vihet në barrë.


