Monday, August 3, 2026
spot_img
HomeLajmeKonjufca: Do të hyjmë në negociata më të thella me LDK-në, besoj...

Konjufca: Do të hyjmë në negociata më të thella me LDK-në, besoj në marrëveshje për të gjitha pozitat

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kur kanë mbetur edhe tri ditë deri te seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, Konjufca ka thënë se do të hyjnë në negociata më të thelluara më LDK-në.

“Unë pres që në ditët në vijim, bile edhe para mbajtjes së seancës, të ketë edhe takime të tjera të nivelit politik mes partive politike, krejt me qëllimin që të zgjidhet kjo situatë në të cilën ndodhemi dhe t’i jepet mundësia krijimit të institucioneve të reja”, ka thënë ai për T7.

Në ditët në vijim, Konjufca tha se pret që LVV-ja t’i dërgojë ftesë LDK-së për bisedime.

“Kjo është arsyeja pse 6 gushti u caktua, siç e keni parë, dhe pres që në ditët në vijim edhe t’i dëgohet ftesa Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të kemi bisedime sa i përket kësaj mundësie”, ka thënë Konjufca.

I pyetur nëse pas konstituimit të Kuvendit pret që institucionet e tjera të formohen shpejt, Konjufca ka shtuar se është shumë optimist që me LDK-në do ta arrijnë një marrëveshje “për të gjitha pozitat e larta”.

“Po, edhe për Presidentin ka shpresa. Ne do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës, qysh e ka shpjegu edhe vetë kryeministri, edhe pastaj të shohim se çfarë epilogu po sjell ky proces”, tha ai.

Ai ka thënë se edhe nga LDK-ja janë shprehur të gatshëm për bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Qëllimi ka qenë, edhe prej anës së LDK-së, është shpjeguar prej Kryesisë së kësaj partie që do të jenë të gatshëm të bisedojnë me Lëvizjen Vetëvendosje. Pas kësaj, atëherë, jam shumë optimist që do të kemi një marrëveshje për të gjitha pozitat e larta në Republikën e Kosovës. Do të kemi një zgjidhje besoj”, ka shtuar ai.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT