Delegacioni i kongresistëve amerikanë, i drejtuar nga republikani Keith Self, ka arritur në Kosovë, në kuadër të vizitës së tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Delegacioni fillimisht ka kaluar pasditen në kampin Bondsteel, ku është pritur nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati.
“E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, mirëpriti një delegacion të Kongresit amerikan, të udhëhequr nga kongresisti Keith Self, në Kosovë. Delegacioni kaloi pasditen në Kampin Bondsteel, ku u takua me ushtarët e përkushtuar të Komandës Rajonale-Lindje të KFOR-it dhe Grupit Mbështetës për Ballkanin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
Delegacioni i kongresistëve amerikanë të martën në mëngjes kishte vizituar Luginën e Preshevës, para se të arrinte në Kosovë.
Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Keith Self, dhe anëtari i Nënkomitetit për Ushtri dhe Punë të Jashtme në këtë institucion, Suhas Subramanyam, po zhvillojnë vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Dy kongresistët të hënën kanë qëndruar në Bosnjë e Hercegovinë dhe më pas në Serbi, ndërsa vizitën në rajon po e vazhdojnë edhe në Kosovë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


