Koncertet e Ed Sheeran në Massachusetts të premten dhe të shtunën janë anuluar për shkak të paralajmërimeve për mot të keq në zonë.
Këngëtari ishte planifikuar të performonte në dy koncerte në stadiumin Gillette në Foxborough, pranë Bostonit, si pjesë e turneut të tij aktual në SHBA.
Turneu ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të një përplasjeje lidhur me vendimin për largimin e artistit që do të performonte para Sheeran, Macklemore, pasi ai bëri komente pro-palestineze në skenë. Pronarët e stadiumeve, përfshirë Robert Kraft të Gillette Stadium, lobuan për largimin e tij, raporton BBC – transmeton Sinjali.
Në një deklaratë të publikuar nga stadiumi thuhej: “Për shkak të paralajmërimeve për mot të keq në fuqi në Boston dhe në të gjithë New England gjatë fundjavës, dhe pas konsultimit me zyrtarët lokalë, promovuesi dhe ekipi i turneut kanë marrë vendimin e vështirë për të anuluar koncertet e Ed Sheeran në Gillette Stadium.”
Në deklaratë shtohej: “Vendimi u mor duke pasur si prioritet kryesor sigurinë e fansave, stafit dhe të gjithë personave të përfshirë në koncertet.
Rimbursimet janë të disponueshme tani në pikën e blerjes. Mbajtësit e biletave që i kanë blerë përmes Ticketmaster do të rimbursohen automatikisht.”
Paralajmërimet për erëra të forta janë në fuqi në zonë deri në orët e para të së dielës, ndërsa zyrtarët u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të minimizojnë udhëtimet.
Sheeran ishte në qendër të një tjetër polemike javën e kaluar, pas vendimit për largimin e Macklemore nga turneu i tij.
Vendimi erdhi pasi reperi kishte bërë komente në skenë gjatë koncerteve të mëparshme, përfshirë thirrjet për “Palestinë të lirë” dhe referencat për “gjenocidin” në Gaza, si dhe kishte shfaqur imazhe nga Gaza.
Kraft, i cili është hebre, e akuzoi reperin amerikan për gjuhë urrejtjeje dhe tha se Macklemore nuk do të lejohej të performonte në Gillette Stadium, shtëpia e ekipit të tij të futbollit amerikan, New England Patriots.
Sheeran tha se vendimi për largimin e Macklemore ishte marrë nga promovuesi i tij dhe jo nga ai. Promovuesi deklaroi se pronarët e stadiumeve, përfshirë Kraft, do të kishin refuzuar që koncertet të zhvilloheshin nëse Macklemore do të ishte pjesë e programit.
Largimi i Macklemore nga turneu bëri që artistët e tjerë që do të performonin para Sheeran dhe muzikantët shoqërues të tërhiqeshin në shenjë proteste, duke nxitur një debat të ashpër mbi lirinë e shprehjes dhe rolin e politikës në muzikë.
Duke u rikthyer në skenë fundjavën e kaluar, Sheeran u tha fansave se “më është dashur të marr dhe të bëj vendime të vështira – dhe po bëj gabime – dhe më vjen shumë, shumë keq”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


