Sunday, October 4, 2026
spot_img
HomeLajmeKomentuesi kërkoi ekzekutimin e Rexhep Selimit, gruaja e tij i drejtohet Prokurorisë

Komentuesi kërkoi ekzekutimin e Rexhep Selimit, gruaja e tij i drejtohet Prokurorisë

Bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti Selimi, ka reaguar pas një komenti në rrjetet sociale, në të cilin bëhet thirrje për ekzekutimin e ish-kreut të UÇK-së.

Komenti ishte bërë në hapësirën e komenteve të një postimi të Gazetës Sinjali, me titullin “Shpirti artistik i Rexhep Selimit nuk u burgos: Shfaqet piktura e tij për UÇK-në”.

Në reagimin e saj publik, Shqipe Mehmeti Selimi e ka cilësuar rastin si jashtëzakonisht serioz dhe ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë atë.

Ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin e rastit, identifikimin e personit që qëndron pas komentit dhe vlerësimin e përgjegjësisë eventuale penale.

“Mospajtimet, bindjet politike apo qëndrimet personale të askujt nuk mund të shërbejnë si justifikim për thirrje publike për vrasjen e një njeriu. Liria e shprehjes nuk mund të përdoret si mbulesë për nxitjen e dhunës”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, personi që ka bërë komentin përdor emrin Albesian Kelmendi në Facebook. Megjithatë, Sinjali nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur identitetin e personit që qëndron pas këtij profili.

Shqipe Mehmeti Selimi ka thënë se nuk kërkon asgjë më shumë sesa zbatimin e ligjit dhe trajtimin me seriozitet të një thirrjeje publike për marrjen e jetës së një njeriu.

“Heshtja dhe normalizimi i një gjuhe të tillë janë të papranueshme”, ka theksuar ajo.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT