Edhe pse bëhet fjalë për një dallim të vogël në pamje, ekziston megjithatë një ndryshim i rëndësishëm në zbatim dhe praktikë. Forma e shenjës nuk është rastësore – rrethi dhe katrori përcjellin mesazhe krejtësisht të ndryshme.
Në rrugë na rrethojnë çdo ditë dhjetëra shenja trafiku, të ndara në disa kategori – nga paralajmërimet për rrezik, te urdhrat e detyrueshëm, deri te shenjat informative dhe ato që drejtojnë rrjedhën e trafikut.
Pavarësisht se supozohet t’i kemi mësuar gjatë dhënies së provimit për patentë shoferi, kuptimi i disa prej tyre ende na ngatërrohet. Një shembull interesant janë dy shenja në dukje identike – njëra në formë katrore dhe tjetra në formë rrethore. Ngjyra dhe shigjeta e njëjtë mund të çorientojnë lehtë, por forma këtu nuk është thjesht dallim estetik.
Rrethi me shigjetë të bardhë përfaqëson shenjë detyrimi që nuk i lë shoferit zgjedhje – drejtimi është i përcaktuar dhe i detyrueshëm, ndërsa tjetra bën pjesë në grupin e shenjave informative.
Shenja e trafikut në formë rrethore me simbol shigjete tregon “drejtim të detyrueshëm lëvizjeje”. Shoferi duhet të lëvizë në drejtimin e treguar në shenjë. Pra, nuk lejohet kthimi dhe nuk ka alternativë tjetër. Kjo shenjë e urdhrave të drejtpërdrejta përcakton drejtimin në të cilin duhet të lëvizin automjetet dhe vendoset në kryqëzime, si dhe mund të vendoset edhe në shtyllat e semaforëve.
Shenja e trafikut në formë katrore me simbol shigjete informon pjesëmarrësit në trafik dhe njëkohësisht tregon “rrugë njëkahëshe”. Në praktikë kjo do të thotë se trafiku zhvillohet vetëm në një drejtim.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se shoferi është i kufizuar në një veprim të vetëm, por se mund të kthehet në drejtimet e lejuara. Kjo shenjë vendoset përgjatë rrugëve me trafik njëkahësh, në vendet ku është e nevojshme që shoferët të njoftohen për këtë rregull.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


