Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka folur rreth kërcënimit të Skender Llugiqit ndaj Ramush Haradinajt, i cili u bë sot brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.
Ramadani ka deklaruar se personi në fjalë nuk është mërgimtar, si dhe pretendon se është i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me një deputet të saj nga Lipjani.
“Pa asnjë dilemë duhet të dënohet dhe me ligj të ndëshkohet personi dhe personat në fjalë që bëjnë thirrje për vrasje të komandantëve dhe zyrtarëve, vepër e rëndë”, ka thënë Ramadani në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova.
Ai ka kërkuar përgjegjësi nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, dhe ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, duke ngritur pikëpyetje se si personi ka arritur të hyjë në Kuvend.
“Albulena Haxhiu dhe Avni Dehari duhet dhe do të japin përgjegjësi për këtë, sepse ai nuk është mërgimtar, është e konfirmuar. Kush e lejoi atë person të futet brenda? Kush e ftoi? Nuk po besoj që personi në fjalë i cili bëri thirrje për vrasje ka ardhur aty vetvetiu, besoj që shumë detaje do të dalin, është familjar i afërt i një deputeti të VV-së, është i afërt me VV-në”, është shprehur deputeti i Aleancës.
“Nuk e di nëse është i përgatitur por e di që ky person është shumë i njohur për VV-në, i afërt me deputetin nga Lipjani, ka qenë prezent gjatë ditës sot”.
Ramadani ka shtuar se pret që të dalin më shumë detaje rreth rastit, ndërsa thirrjet për vrasje i ka cilësuar si “terrorizëm të shtetit të Kosovës”.
“Do të japin përgjegjësi para ligjit sepse kjo tashmë jo vetëm që është tepruar, kjo është terrorizëm i shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Ramadani./Klankosova.tv


