Thursday, August 13, 2026
spot_img
HomeLajmeDërnjani solli familjen në Siri: “Shtëpia ime u bombardua, fëmijët ishin brenda”...

Dërnjani solli familjen në Siri: “Shtëpia ime u bombardua, fëmijët ishin brenda” (VIDEO)

Pas pesë muajsh qëndrimi në Siri, Murat Dërnjani për MAT thotë se bashkëshortja e tij vendosi t’i bashkohej atij, së bashku me djalin e tyre. Në intervistën për emisionin, ai rrëfen se, pavarësisht luftës dhe bombardimeve, në disa zona të Sirisë jeta, sipas tij, vazhdonte normalisht.

“Gruaja jem vet ka pasë dëshirë me ardhë, se unë i tregova që nuk është koha me u kthy, se o kanë shumë… njerëzit kanë pasë ekstrem shumë nevojë për ndihma”, deklaron Dërnjani.

Familja u vendos në Alepo, në një shtëpi që, sipas tij, ua kishte dhënë një banor sirian. Dërnjani thotë se nuk paguanin qira dhe se familja jetonte me të ardhurat që ai siguronte nga përkthimet dhe puna me organizatat humanitare, ndërsa bashkëshortja e tij punonte si teknike mjekësore në kampe.

Në atë kohë, djali i tyre ishte vetëm 7-8 muajsh

Por jeta e familjes në Siri nuk ishte pa rrezik. Dërnjani rrëfen një prej bombardimeve që, sipas tij, shkatërroi plotësisht shtëpinë ku jetonin.

“Kur hina në market i niva bombardimet edhe dritaret që janë kanë aty krejt u thynë… e shihsha që po shkojnë kah ana ku jetoj unë”, tregon ai.

Dërnjani thotë se u përpoq të kthehej drejt shtëpisë, por bombardimet vazhdonin.

“Kur shkova e pashë shpinë teme, as një mur nuk o kanë ma. Shtëpia jeme o kanë komplet e bombardume”, rrëfen ai.

Në shtëpi, sipas tij, ndodheshin bashkëshortja dhe dy fëmijët.

“Kur e pashë bashkëshorten time me dy fëmijët në dorë… ka qenë një përjetim shumë i tmerrshëm”, deklaron Dërnjani.

Ngjarja, sipas tij, ka ndodhur në tetor të vitit 2013, rreth një vit pas mbërritjes së tij në Siri.

Në intervistë, Dërnjani përballet edhe me pyetjet nëse kishte marrë përsipër një rrezik të papranueshëm duke e sjellë familjen, përfshirë një foshnjë, në një zonë lufte.

Ai thotë se e kishte pyetur bashkëshorten nëse dëshironte të largohej, por ajo kishte refuzuar.

“I thashë bashkëshortes a don me dalë, tha jo, nuk dal kurrë”, tregon ai.

Ndërsa për vendimin që fëmijët të qëndronin në Siri, Dërnjani pranon se përgjegjësia ishte e tij.

“Po normal që jam ndi keq, se ti je përgjegjës për familjen tanë”, thotë ai.

Megjithatë, ai argumenton se fëmijët e tij nuk kanë qenë në vijën e frontit dhe se familja, sipas tij, kishte zgjedhur të qëndronte.

“Ti s’je tu e qu fëmijën në front, fëmija është bashkë me fëmijët e tjerë”, deklaron Dërnjani.

Ai thotë se gjatë gjithë periudhës familja e tij përjetoi vetëm një sulm të drejtpërdrejtë, edhe pse pranon se bombardimet përbënin rrezik të vazhdueshëm.

“Po normal që jam ndi keq… Unë i kam thanë familjes teme a doni me dalë, familja jem ka thanë jo, na s’dojmë me dalë”, shprehet ai.

Në pjesën tjetër të rrëfimit, Dërnjani flet edhe për grupet e ndryshme që vepronin në Siri dhe thotë se kishte parë në fronte edhe Ahmed al-Sharaa, të cilin e përshkruan si lider të Al-Kaidës në atë periudhë.

“E kom pa, se me taku s’kom mujtë, po e kom pa”, thotë Dërnjani.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT