Sinjali ka mësuar identitetin e personit që u gjet pa shenja jete mbrëmjen e së martës në lumin e fshatit Dormjak të Hanit të Elezit.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Zulfi Topojani, trupi i të cilit u gjet në ujë, në vendin e quajtur Skollovc.
Sipas informacioneve të rastit, disa persona kishin shkuar në lokacion pasi ishin njoftuar nga vëllai i viktimës dhe aty kishin vërejtur trupin e tij në lumë. Menjëherë janë njoftuar Policia dhe zjarrfikësit.
Zjarrfikësit e kanë nxjerrë 33-vjeçarin nga uji, ndërsa ekipi mjekësor që ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij.
Në vendngjarje kanë dalë Hetimet Rajonale dhe Forenzika, ndërsa sipas ekzaminimit fillestar në trup nuk janë vërejtur lëndime apo hematoma të dukshme.
Familjarja e viktimës ka deklaruar para hetuesve se nuk dyshon që dikush mund t’i ketë bërë keq Topojanit dhe se, sipas saj, bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale.
Megjithatë, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


