Në emisionin e radhës të MAT, Murat Dërnjani rrëfen për herë të parë në detaje nisjen e tij drejt Sirisë në vitin 2013, motivin që, sipas tij, e shtyu të largohej nga Gjermania dhe mënyrën se si arriti të hyjë në një zonë lufte.
Dërnjani thotë se vendimin për të udhëtuar drejt Sirisë e mori pasi kishte parë për muaj të tërë pamjet e luftës dhe bombardimeve ndaj civilëve.
“Vendosa me shku me ju ndihmu popullatës siriane”, rrëfen ai.
Sipas tij, në atë kohë nuk e njihte terrenin dhe nuk kishte një plan të qartë se ku do të shkonte.
“A e ke ditë ku po shkon?”, pyetet Dërnjani.
Përgjigjja e tij është e drejtpërdrejtë:
“Jo. Nuk e kam ditë.”
Madje, ai thotë se para nisjes kishte vetëm një ide të përgjithshme, të krijuar nga ajo që shihte në televizion.
“Veç nga pamja e televizionit. Kam me hy mrenda, kam me u vra edhe kaq”, deklaron Dërnjani.
Në rrëfimin e tij, ai tregon se fillimisht udhëtoi nga Gjermania drejt Turqisë bashkë me disa shokë. Në kufirin turko-sirian, thotë se ushtarët turq ia morën pasaportën e Kosovës dhe e pyetën se çfarë kërkonte atje.
“Ju kam thanë jam ardhë me ju ndihmu”, tregon ai.
Dërnjani rrëfen se ushtarët turq i kishin këshilluar të kthehej, duke i thënë se situata brenda Sirisë ishte e rëndë, por ai dhe shokët e tij vazhduan rrugëtimin.
Sipas tij, hyrja në Siri u bë përmes një organizate humanitare, me automjete të ambulancës. Pesë shokët, thotë ai, udhëtuan së bashku me një organizatë që transportonte medikamente dhe ndihma.
“Kemi hypë në kerr të ambulancës dhe ato kerre kanë shku për Siri”, rrëfen Dërnjani.
Ai mohon se kanë hyrë fshehurazi, duke pretenduar se automjetet kishin dokumentacion dhe se ata ishin paraqitur si staf mjekësor.
“Ata na kanë shkru si staf mjekësor edhe bashkërisht me ta jena hi brenda”, thotë ai.
Pas kalimit të kufirit, Dërnjani thotë se u përball me një realitet krejt tjetër nga ai që kishte parë në ekranet televizive. Në zonën pranë kufirit, sipas tij, kishte një kamp të madh refugjatësh, me mijëra njerëz dhe organizata humanitare.
“Kur kom hi mrena o kanë një kaos i madh. Ke pa shumë fëmijë, shumë njerëz, shumë refugjatë, shumë organizata”, rrëfen ai.
Ky ishte vetëm fillimi i një qëndrimi prej gati pesë vitesh në Siri, që më vonë do ta çonte Dërnjanin në vijën e frontit, në një grup të armatosur dhe, pas kthimit në Kosovë, në procese të njëpasnjëshme gjyqësore.


