Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është takuar të martën në Berlin me kancelarin gjerman Friedrich Merz, në një kohë kur Gjermania mbetet një nga mbështetëset kryesore të Ukrainës në luftën katërvjeçare kundër Rusisë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Merz ka rikonfirmuar mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën për “ta vënë sa më shpejt në funksion kredinë e BE-së për Ukrainën, e rënë dakord në dhjetor”.
Ukraina përballet me mungesë të theksuar fondesh dhe pret një kredi prej 90 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian, e cila ishte bllokuar nga ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán. Largimi i tij nga posti pas zgjedhjeve të fundit mund të hapë rrugë për zhbllokimin e kësaj shume.
Merz i ka bërë thirrje Rusisë që “ta përfundojë këtë luftë sa më shpejt të jetë e mundur”, duke shtuar se “Rusia nuk ka asgjë për të fituar”.
Në të njëjtën kohë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka zhvilluar bisedime me homologun e tij ukrainas, Mykhailo Fedorov, i cili mori detyrën në janar dhe njihet për avancimin e teknologjisë së dronëve ushtarakë.
Përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës janë zbehur muajt e fundit, pasi vëmendja e administratës së Donald Trump është zhvendosur drejt luftës në Iran. Megjithatë, zëvendësambasadorja e SHBA-së në OKB, Tammy Bruce, ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit se Uashingtoni “do të vazhdojë të shtyjë për një përfundim të negociuar dhe të qëndrueshëm” të luftës.
Sipas analistëve dhe zyrtarëve perëndimorë, Ukraina muajt e fundit ka arritur disa suksese në fushëbetejë, duke penguar ofensivën pranverore të Rusisë, ndërsa kushtet e motit po përmirësohen.
Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, përfshirë edhe Gadishullin e Krimesë, të pushtuar në vitin 2014.
Kievi vazhdon të varet nga inteligjenca amerikane për shënjestrime brenda territorit rus dhe ka nevojë për sisteme më të avancuara të mbrojtjes ajrore të prodhuara në SHBA për të përballuar sulmet me raketa ndaj rrjetit energjetik.
Zgjatja e mundshme e luftës në Iran mund të dobësojë mbështetjen jetike amerikane për Ukrainën, një shqetësim që mbetet i theksuar për Zelenskyn.
Ndërkohë, ushtria ukrainase përballet edhe me mungesë të personelit, me rreth 200,000 raste dezertimi dhe shmangie të rekrutimit nga afro 2 milionë persona, sipas një deklarate të Fedorovit në janar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


