Prindërit e nxënësve të klasave të para në SHFMU “Mustafa Bakija” në Gjakovë kanë shprehur shqetësim për ndryshimin e mësueseve vetëm tri javë pas fillimit të vitit shkollor, ndërsa për nesër kanë paralajmëruar protestë, shkruan Sinjali.
Në një ankesë të dërguar në adresë të Gazeta Sinjalit, një prind ka thënë se vendimi u është komunikuar prindërve vetëm një ditë para zbatimit, duke ngritur pikëpyetje për arsyen, procedurën dhe ndikimin që ndryshimi mund të ketë tek fëmijët.
Sipas prindit, nxënësit sapo ishin përshtatur me mësueset, shokët dhe ambientin e ri shkollor. Për këtë arsye, prindërit kanë kërkuar sqarime nga shkolla dhe institucionet përgjegjëse, ndërsa kanë paralajmëruar protestë sot në ora 13:00.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar Drejtorinë e Arsimit në Gjakovë, e cila ka dhënë një tjetër version për arsyen e risistemimit.
Nga DKA kanë bërë të ditur se vendimi është marrë pas një inspektimi tematik të realizuar nga Inspektorati i Arsimit – Sektori në Gjakovë në SHF “Mustafa Bakija”, si dhe rekomandimeve të adresuara Drejtorisë së Arsimit dhe shkollës.
“Bazuar në inspektimin tematik të realizuar në SHF ‘Mustafa Bakija’ nga Inspektorati i Arsimit – Sektori në Gjakovë, si dhe në rekomandimet e adresuara Drejtorisë së Arsimit dhe shkollës, nga Drejtoria e Arsimit është kërkuar që menjëherë të realizohet risistemimi i nxënësve të klasës së parë”, thuhet në përgjigjen e DKA-së për Sinjalin.
Sipas DKA-së, për realizimin e procesit është formuar një komision me mësueset e klasave të para, ndërsa risistemimi është bërë përmes një procedure transparente dhe publike të shortit.
Në këtë proces, sipas Drejtorisë së Arsimit, janë respektuar barazia gjinore, raporti vajza-djem, përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuara dhe nevoja të veçanta arsimore, nxënësit nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe numri proporcional i nxënësve në secilën paralele.
DKA ka theksuar se komisioni ka marrë pjesë drejtpërdrejt në realizimin e shortit dhe në verifikimin e respektimit të kritereve të përcaktuara.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


