Wednesday, September 2, 2026
spot_img
HomeShowbizJuventusi kthehet te fitorja pas pesë ndeshjesh, mposht Udinesen

Juventusi kthehet te fitorja pas pesë ndeshjesh, mposht Udinesen

Pas tri barazimeve dhe dy humbjeve radhazi në Serie A, Juventusi më në fund është rikthyer te fitorja. Në javën e 9-të të kampionatit italian, “Zonja e Vjetër” mposhti Udinesen me rezultat 3-1 në një ndeshje plot emocione në Allianz Stadium.

Ishte sfida e parë pas largimit të trajnerit Igor Tudor, dhe reagimi i skuadrës ishte menjëherë i dukshëm — me intensitet më të madh dhe vendosmëri për të dalë nga kriza.


Juventusi e nisi ndeshjen furishëm dhe kaloi në epërsi që në minutën e pestë. Dusan Vlahovic u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke mposhtur portierin Okoye për 1-0.

Në fund të pjesës së parë, Nicolo Zaniolo barazoi rezultatin në minutën e 45+1, pas një reagimi të shpejtë nga një top i kthyer, duke e dërguar topin në rrjetë për 1-1.

Në fraksionin e dytë, Juventusi mori përsëri kontrollin e lojës. Portieri i Udineses, Maduka Okoye, bëri disa pritje të shkëlqyera ndaj Kalulu dhe Yildiz, por nuk mundi ta ndalte goditjen me kokë të Federico Gattit në minutën e 67-të, që solli avantazhin 2-1 për vendasit.

Ylli i ri Kenan Yildiz pati një tjetër rast të artë në minutën e 69-të, por Okoye sërish reagoi. Megjithatë, në minutat shtesë, pas ndërhyrjes së VAR-it, arbitri Marco Di Bello akordoi një tjetër penallti për Juventusin.

Nga pika e bardhë, Kenan Yildiz ishte i pagabueshëm në minutën e 90+6’, duke vulosur fitoren me 3-1.

Pas ndeshjes, tifozët bardhezi shpërthyen në brohoritje, pasi ekipi jo vetëm që u kthye te fitorja, por e bëri këtë me një paraqitje të vendosur dhe energjike – një shenjë se mund të jetë fillimi i një kapitulli të ri pas epokës Tudor.

Juventusi me këtë fitore kthehet në garë për vendet e para, tani e gjashta me 15 pikë. /Telegrafi/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT