Wednesday, September 2, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Tre të vrarë, tre të dyshuar në arrati: Mbi një...

LEX | Tre të vrarë, tre të dyshuar në arrati: Mbi një vit pa gjurmë nga Mefail Shkodra dhe djemtë

Më shumë se një vit pas vrasjes së trefishtë që tronditi Gjilanin, tre të dyshuarit kryesorë vazhdojnë të jenë të pakapshëm për organet e rendit.

Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra, ndodhen ende në arrati që nga 10 gushti i vitit 2025, kur në mes të ditës u vranë tre persona dhe u lënduan dy të tjerë në qendër të Gjilanit.

Për të mësuar se deri ku kanë arritur hetimet dhe nëse është lokalizuar vendndodhja e të dyshuarve, Gazeta Sinjali u është drejtuar me kërkesë zyrtare Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Prokuroria nuk ka kthyer përgjigje, ndërsa Policia ka konfirmuar për Sinjalin se tre të dyshuarit vazhdojnë të jenë në arrati.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju informojmë se personat janë ende në arrati dhe Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për lokalizimin dhe arrestimin e tyre. Për detaje të tjera mund t’i adresoheni Prokurorisë kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Sinjalin.

Megjithatë, Policia nuk ka dhënë hollësi se cilat veprime konkrete janë ndërmarrë, nëse është përcaktuar vendndodhja e të dyshuarve dhe nëse ata dyshohet se janë larguar jashtë territorit të Kosovës.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 10 gusht 2025, rreth orës 12:32, në një lokal në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht që nga momentet e para për krimin e rëndë, duke sjellë identitetet e viktimave, të plagosurve dhe personave të dyshuar për përfshirje në rast.

Nga të shtënat me armë zjarri kishin mbetur të vrarë Selami Hasani, Abedin Hoxha dhe Edmond Hasani, ndërsa dy persona të tjerë kishin mbetur të lënduar.

Sinjali kishte raportuar se menjëherë pas krimit, Policia kishte shpallur në kërkim Mefail Shkodrën dhe djemtë e tij, Edonisin dhe Engjullin. Për kapjen e tyre ishte kërkuar edhe bashkëpunim ndërkombëtar, ndërsa ishin njoftuar pikat kufitare.

Në ditën e ngjarjes ishte ndaluar edhe Enis Shkodra, djali tjetër i Mefail Shkodrës. Ai më pas ishte liruar në procedurë të rregullt, ndërsa tre të dyshuarit kryesorë nuk janë arrestuar as pas më shumë se një viti.

Vetëm tri ditë pas krimit, Sinjali kishte raportuar se Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij vazhdonin të ishin në arrati, pavarësisht masave të shtuara dhe kontrolleve të zhvilluara në lokacionet ku dyshohej se mund të fshiheshin.

Një muaj pas vrasjes, Sinjali kishte rikthyer sërish vëmendjen te rasti, duke raportuar se operacionet policore ende nuk kishin rezultuar me lokalizimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve.

Sinjali kishte zbardhur edhe të kaluarën penale të Mefail Shkodrës, emri i të cilit ishte i njohur më herët për organet e rendit dhe drejtësisë.

Pas vrasjes, institucionet kishin bërë të ditur se që nga viti 2000 ndaj tij ishin pranuar pesë raste penale, prej të cilave katër kishin përfunduar me ngritjen e aktakuzave, ndërsa një rast ishte zgjidhur përmes ndërmjetësimit.

Shkodra ishte arrestuar edhe gjatë vitit 2024 nën dyshimet për fajde dhe detyrim, por ishte liruar nga paraburgimi në tetor të atij viti, rreth dhjetë muaj para vrasjes së trefishtë.

Pavarësisht shpalljes në kërkim, bashkëpunimit të kërkuar ndërkombëtar dhe veprimeve që Policia thotë se i ka ndërmarrë, Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra vazhdojnë të jenë në arrati.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT