Zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përplasjet që kanë shpërthyer pas qëndrimeve të ndryshme brenda partisë kanë nxitur një reagim të fortë edhe nga Imri Ahmeti.
Ahmeti ka dalë me një mesazh të drejtpërdrejtë për gjendjen në LDK, duke kërkuar demokraci të brendshme, dialog, mirëkuptim dhe tolerancë, ndërsa ka kritikuar ashpër linçimin e atyre që nuk pajtohen me qëndrimet e caktuara brenda partisë.
“Pa demokraci të brendshme, pa dialog, mirëkuptim dhe tolerancë, LDK-ja nuk është vetvetja!”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas tij, LDK-ja ka lindur pikërisht mbi këto vlera dhe ato nuk duhet të mbeten vetëm pjesë e historisë së saj, por duhet të përcaktojnë edhe mënyrën se si partia funksionon dhe merr vendime sot.
Ahmeti ka dhënë edhe një mesazh që mund të lexohet si kritikë e drejtpërdrejtë ndaj mënyrës së vendimmarrjes brenda LDK-së.
“Të dëgjosh para se të vendosësh, të bindësh e jo të imponosh, të bashkosh e jo të linçosh, janë parime fundamentale të funksionimit të LDK-së”, ka deklaruar ai.
Por pjesa më e fortë e reagimit të tij vjen kur flet për raportin ndaj njerëzve që, sipas tij, e kanë mbajtur LDK-në gjallë në periudhat më të vështira.
“Flas nga brenda. Që nga themelimi e deri më sot, në të mirë e në sfida. Dhe pikërisht për këtë refuzoj që kaq lehtë të linçohen e të akuzohen ata që e kanë mbajtur gjallë LDK-në në ditët më të vështira, ndërsa të përkëdhelen turistët politikë”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka ngritur pyetjen se nga po buron, siç e quan, “kjo kulturë e fyerjeve, linçimeve dhe akuzave”, duke thënë se një qasje e tillë nuk përfaqëson as trashëgiminë dhe as vlerat e LDK-së.
Sipas Ahmetit, LDK-ja u përket vlerave të respektit, dialogut dhe mirëkuptimit, por edhe njerëzve që e kanë ndërtuar dhe mbajtur gjallë ndër vite.
“Ajo nuk ndërtohet me grusht, me zë të ngritur apo me ton të lartë. Kjo nuk i shkon për fytyrë LDK-së dhe nuk është mënyra se si është ndërtuar historia e saj”, ka theksuar ai.
Ahmeti ka paralajmëruar gjithashtu kundër tjetërsimit të identitetit politik të LDK-së dhe kopjimit të modeleve të partive të tjera.
“Shtrati dhe bazamenti brenda të cilit lindi, u zhvillua dhe mbijetoi LDK-ja në rrethana të ndryshme, nuk mund të tjetërsohen në kopje të asnjë modeli tjetër politik. LDK-ja është e veçantë dhe pikërisht këtë veçanti duhet ta ruajmë”, ka shkruar ai.
Në fund, Ahmeti ka bërë thirrje për më shumë dialog, mirëkuptim dhe respekt mes njerëzve brenda partisë, duke e përmbyllur reagimin me mesazhin:
“LDK-ja është përgjegjësi e përbashkët. Për Kosovën tonë.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


